
Armando Broja u transferua nga Chelsea te Fulham në formë huazimi deri në fund të sezonit aktual. Ylli i Kombëtares shqiptare debutoi me fanellën e Fulham të shtunën e kaluar, në transfertën ndaj Burnley. Teksa nesër, Fulham pret në shtëpi Bournemouth.
Para kësaj sfide, ka folur edhe trajneri i “bardhezinjve”, Marco Silva. Tekniku i Fulham e sheh Brojën me aftësi ndryshe nga sulmuesit e tjerë që ka në organikë, teksa tregon që do të jetë pjesë e ekipit në ndeshjen e nesërme.
“Broja është gati, si të gjithë lojtarët e tjerë. Ai mund të shtojë gjëra të mira për ekipin tonë, është një profil ndryshe nga sulmuesit që ne kemi. Është i lëvizshëm, ka ritëm, aftësi për të na çuar përpara dhe mund t’i shkaktojë kundërshtarit shumë probleme. Po përshtatet me idenë tonë dhe është në një vend të lumtur. Le të shpresojmë se mund të marrim më të mirën prej tij”, është shprehur trajneri i Fulham, Marco Silva.