
Çekia do të udhëtojë në Shqipëri për të sfiduar kombëtaren shqiptare në “Air Albania”. Ditën e enjte dy skuadrat do të vihen përballë njëra –tjetrën duke nisur që nga ora 20:45, takim që do të vendosë shumë mbi fatet e ekipeve në kualifikimin për në Euro 2024.
Në prag të këtij dueli ka folur trajneri i çekëve, Jaroslav Silhavi, i cili ka theksuar se nëse ekipi i tij nuk luan i bashkuar atëherë do ta pësojnë nga kuqezinjtë.
Sfida me Shqipërisë, a ka nervozizëm në skuadër? Kanë mbetur edhe pak ditë nga ndeshja, nervozizmi është normal, por ne e dimë sa e rëndësishme do të jetë ndeshja. E dimë që atmosfera atje do të jetë e stuhishme, ka pasur një interesim të madh për ndeshjen në Shqipëri, njerëzit atje janë me temperament. Nuk e mohoj që ambienti vendas do të jetë avantazh për kundërshtarin. Nëse nuk i besojmë njëri-tjetrit, do të na shqyjnë në Shqipëri.
Seancat stërvitore? Stërvitja e parë është ditën e sotme, e cila është pak a shumë restauruese. E marta është dita e vetme që mund të praktikojmë disa taktika. Të mërkurën do të jemi në Shqipëri dhe do të kemi një seancë stërvitore para ndeshjes.
Kritikat pas ndeshjes me Shqipërinë? Mendoj se askujt nuk i pëlqen që njerëzit ti shajnë. Nuk dua të jem arrogant, por nuk kontrolloj në rrjetet sociale. E pranoj kur dikush ka një mendim kritik. Pas asaj ndeshje askush nuk thotë se ne luajtëm mirë, donim dhe duhej të fitonim. Nuk më pëlqejnë kritikat, nuk jam mazokist që të lexoj vulgaritete për veten time. Ndoshta gjërat do të ndryshojnë pas duelit në Shqipëri”.