
Orges Shehi ka nisur menjëherë nga puna që pas zyrtarizimit si trajneri i ri i Partizanit. Tekniku durrsak ka zhvilluar 2 seanca stërvitore, ndërsa sot do të zhvillojë të fundit përpara 3 ditëve pushim. Të kuqtë do të rikthehen në stërivtje më 2 dhjetor në tokën turke aty ku do të zhvillojnë një mini-fazë përgatitore e 2 teste miqësore për të implementuar idetë e tij.
Tre vite në krye të Tiranës, pak a shumë dihet se çfarë Partizani do të shohim nën drejtimin e tij. Orges Shehi është një ‘adhurues’ i ‘6-shit’ tradicional, por akoma më shumë i wingerave të shpejtë e driblues. Te Tirana, të ‘palëkundur’ kishte Albano Aleksin, Redon Xhixhën, Taulant Seferin e Florent Hasanin.
Këto 2 pozicione janë problematike te Partizani i tanishëm, pasi që pas largimit të Matondos nuk ka një ‘6-sh’ tradicional, ndërsa sulmuesit e krahëve janë përdorur pak nga Zekic e Abilaliaj të cilët preferonin një lojë më qendrore dhe afër portës. 2 nga 3 afrimet e premtuara nga drejtori Abilaliaj do të jenë në këto pozicione.
Nga taktikat e Orges Shehit janë 2 lojtarët që do të përfitojnë më shumë. Ata janë Tedi Cara dhe Albers Keko. Të dy këta lojtarë plotësojnë profilin e një wingeri që Shehi preferon dhe pritet që të kenë një rol të rëndësishëm në gjysmën e dytë të sezonit.
Pas atyre që përfitojnë, sigurisht ka dhe nga ata që marrin të kundërtën. Gjelbrim Taipi pritet të jetë i ‘sakrifikuari’ për formacionin. Mesfushori 31-vjeçar deri tani ka qenë një titullar i padiskutueshëm duke luajtur të gjitha ndeshjet, por si sulmues i majtë, jashtë pozitës së tij natyrale që është ’10-shi’.
Ish-kapiteni i Kukësit mund të ofrojë cilësi teknike të larta dhe eksperiencë, por përballë shpejtësisë, driblimeve dhe saktësisë para porte si të Kekos, vështirë se do t’ia dalë të bëjë Shehin të heqë dorë nga skema e tij.
Ndërkohë, mbetet të shihet situata e pozicionit para mbrojtes i cili deri tani është mbuluar nga Maguette dhe Mehmeti si ‘pivot’. Nga grupi aktual, i vetmi që mund të luajë si ‘6-shi i Shehit’ është Valentino Murataj i cili e ka bërë më parë edhe te Bylisi.
Mesfusha është reparti më i konsoliduar i Partizanit të gjysmësezonit të parë me plot 5 lojtarë që kanë dhuruar paraqitje të mira ndaj mbetet të shihet se si do të veprojë trajneri i ri.