Mbështetësit e Arema FC dhe rivalët e Persebaya Surabaya, dy nga skuadrat më të mëdha të futbollit të Indonezisë, u përleshën dje në tribuna pasi ekipi vendas Arema FC u mund 2-3 në një ndeshje në qytetin Malang në Java Lindore.
Të paktën 179 persona kanë vdekur pas kaosit dhe dhunës që shpërtheu pas futjes së tifozëve në fushë. Kjo është një nga fatkeqësitë më të mëdha që janë shënuar nga përleshjet e tifozëve dhe policisë në stadiumet e botës.
Pas ndeshjes foli edhe sulmuesi i vendasve, Abel Camara. Ai ka treguar tmerrin e përjetuar. “Ky ishte një derbi i vjetër dhe gjatë gjithës kohës u ndje në qytet si të ishte ndeshje më shumë se tre pikë. Ishte ndeshje për jetë a vdekje, ne duhej të humbnim çdo ndeshje, por jo këtë. Kishte tension. Pasi humbëm shkuam t’i kërkonim falje tifozët. Ata filluan të kapërcenin muret rrethuese, barrierat. Më pas shkuam menjëherë në dhomat e zhveshjes, shumë persona ndërruan jetë para syve tanë.
Ishin 8 persona që ndërruan jetë në dhomat e zhveshjes. Po dëgjonim britma, krisma dhe njerëz që shtypeshin. Ishin goditur nga gazi lotsjellës. Qëndruam për katër orë pa lëvizur, nuk dilnim dot nga stadiumi, para se të largoheshin të gjithë. Më pas kur u larguam, kur u qetësua situata, kishte gjak, atlete dhe trupa njerëzish në stadium”, tha sulmuesi.