Është e dhimbshme të shohësh sesi qytete me traditë si Berati, kanë pësuar një tkurrje në investime shumë të madhe për sportin. Nëse ''Tomori'' i dikurshëm i viteve 2000 luftonte për një vend të parë në Superiore, ky i viteve të fundit është braktisur nga qeverisja vendore dhe ka përfunduar duke luftuar për mbijetesë në Kategorinë e parë.
I mbajtur peng nga investimet e pakta, një nga qytet më të vjetra të Shqipërisë vuan prej vitesh për një përfaqësim të denjë në elitën e futbollit shqiptar. I krijuar që në vitin e largët 1923, klubi gati shekullor ka humbur shumë nga shkëlqimi i dikurshëm.
Sezonin e fundit ata mes shumë vështirësive arritën të ngjiteshin në Kategorinë e Parë duke luajtur në balotazh me ekipin e Naftëtarit. Ky ishte një lajm i mirë për tifozët, por euforia e ngjitjes së një shkalle ra. Tani kërkohen investime të reja në mënyrë që Tomori të arrijë të ngjitet në Kategorinë Superiore. Bashkia Berat vazhdon të jetë pronare e Klubit me të drejta të plota, ndërsa donatori i saj Kërkuta edhe pse para disa kohësh foli për privatizim aksionesh, nuk është bërë asgjë konkrete në këtë drejtim. Pasiguria ekonomike ndihet jo vetëm për blerjet e reja që nuk vijnë por edhe te lojtarët ekzistues që kanë dyshime në lidhje me pagesat. Për sa kohë askush nuk paguan dhe lojtarë të rinj nuk vijnë, duket se Tomori as këtë vit nuk mund të shpresojë të ngjitet në Kategorinë Superiore. E trishtë sesi një qytet i madh, me kulturë dhe histori nuk investon te një sport aq i dashur nga të gjithë tifozët.
Nga klubi që ka nxjerrë shumë emra në futbollin shqiptar, ka vetëm largime dhe shpresa për kthim vetëm në rast të një ngjitjeje në Superiore. Kështu ka deklaruar edhe kapiteni i Laçit në Superligë, Emiljano Veliaj, se vetëm ngjitja e Tomorit në Suprligë do ta largonte atë nga Laçi për tu rikthyer me skuadrën beratase.