
Tirana ndodhet në Turqi ku po zhvillon një mini fazë përgatitore. Skuadra e drejtuar nga trajneri, Mirel Josa po merr ngarkesën e duhur për të qenë gati për fazën e tretë të Superiores.
Drejtuesit po punojnë fuqishëm për të afruar në organikën e ekipit afrime cilësore, deri më tani është afruar sulmuesi Leuca.
Ky i fundit ndodhet në provë dhe stafi teknik do të jetë ai që do të vendosë për të. Sot u mësua vendimi i FSHF-së, ku kampionati do të shtyhet edhe një javë. Në këtë mënyrë edhe axhenda e ekipeve në Turqi do të ndryshojë.
Megjithatë nga klubi bardheblu nuk ka asnjë njoftim të ri zyrtar, ndërsa më parë ishte përcaktuar se do të ktheheshin në Tiranë në 17 janar. Ndërkohë tifozët kryeqytetas po ndjekin me interes zhvillimet në skuadrën e tyre, ku sigurisht vëmendja kryesore është përqendruar te merkatoja.