
Nga Pano Xhixho
Debati i hapur edhe një herë në lidhje me lejimin ose jo të Partizanit për të luajtur në “Selman Stermasi”, duhet të mbyllet një herë e përgjithmonë (në fakt kjo është vetëm një periudhë 4 mujore). Për mendimin tim, Po, Tirana duhet të lejojë Partizanin të luaj në stadiumin që administron dhe kjo për shumë arsye.
Së pari, ndasitë që ekzistojnë mes tifozerive respektive nuk duhet të përçohen deri në majat më të larta të drejtimit të klubeve. Presidentët e klubeve janë biznesmenë të njohur, që mund të ulen për 1001 arsye që nga biznesi e deri tek krijimi i Ligës Profesioniste, gjëra që nuk arrihen kurrë nëse ekziston një çarje për arsye tifozerie. Klubet, deklaratat zyrtare të njerëzve të tyre, duhet të jenë të një tjetër niveli duke i krahasuar me ato të tifo-grupeve. Nuk po them që të ketë “dashuri” reciproke, por mardhëniet mes klubeve duhen ngritur në një tjetër nivel.
Së dyti, edhe vetë ata që duan Tiranën dhe kanë dhënë jetën për atë klub, janë deklaruar pro’ lejimit të Partizanit në “Selman Stermasi”. Respekt maksimal për çdo tifoz, por kur; Agustin Kola, Shkëlqim Muça apo Bedri Omuri që kanë dhënë jetën dhe shpirtin për t’i bërë sot këta tifozë krenarë që janë klubi më i titulluar, nuk e shikojnë fare si problem, atëherë maja e klubit, duhet të dëgjojë edhe emrat e “legjendave” që ka pasqyruar me krenari në korridoret e stadiumit.
Së treti, por më e rëndësishmja, Tirana e ka marë atë stadium në administrim, ka shpenzuar para për ta bërë ashtu si është dhe sa më mirë të të gjej burime alternative financash. Paraja nuk ka ngjyrë. Nëse lekët që Partizani ka paguar në “Elbasan Arena” (5 mln X 9 ndeshje), sot do ti kishte Tirana, nuk do t’i dhimbte koka për të sjellë një sulmues për katër muajt e mbetur që të rivalizonte deri në fund për titull. Nëse flitet shpesh që ky sport duhet kthyer në një biznes që edhe “arkëton”, ky është rasti më i mirë, madje për këtë arsye edhe tifozët duhet të ndërgjegjësohen.