Një situatë aspak e hijshme ka ndohur pas sfidës që Ballkani zhvilloi ndaj Dritës, takim i vlefshëm për javën e 15-të të Superligës së Kosovës. Sipas “Klan Kosova Tv” bëhet me dije se një tifoz i Ballkanit ka rënë “pre” e dhunës në Gjilan.
Tifozi i Ballkanit me inicialet A.B është sulmuar nga A Bislimi dhe një person tjetër, i cili dyshohet të jetë babai i këtij të fundi. Në lidhje me këtë situatë ka folur edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
Ky i fundit ka pranuar situatën, e cila ka ndodhur saktësisht në rrugën “Kumanova” afër stadiumit. Nga sulmi që i është bërë, tifozi i Ballkanit ka pësuar edhe dëmtime në trup, teks ai është dashur edhe ndihma mjekësore. Nuk dihet ende se cila është arsyeja e këtij sherri, ku në ditët e ardhshme pritet të mësohet më shumë mbi këtë situatë.
Ndërkohë është dashur ndërhyrja e stafit teknik të klubit të Ballkanit për të “shpëtuar” tifozin nga duart e sulmuesve.
"Njësitet policore relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin e përfshirë në këtë incident. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit e vendim të së cilit pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt në prokurori për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, është shprehur Osmani.
