Merkato e durrsakëve nuk është deklaruar ende e mbyllur. Deri më sot janë bërë pesë përforcime, nga të cilat disa para se të luanin në Europa League dhe disa pas pjesëmarrjes. Për kampin e “Djemve të Detit” mungon një sulmues, ndërsa janë ende në fazë negociatash me belgun Nikolas Napol.
Megjithatë, presidenti Edmond Hasanbelliu tregohet i qartë kur pyetet për sulmues. Prerazi ai dëshiron të huaj në ekipin e tij, duke parë që tregu vendës nuk ofron cilësinë që kanë ata që vijnë nga jashtë.
“Nuk kemi interes dhe nuk po bisedojmë me lojtarë shqiptarë për sulmin. Do të tentojmë të mbyllim negociatat me belgun Napol dhe të bëjmë lëvizje të tjera. Objektivi jonë janë sulmuesit e huaj, ndaj mbetemi ende në treg”, tha presidenti i Teutës.