Kukësi është një nga skuadrat shqiptare që për katër vite radhazi po luan në raundet eliminatore të Europa League, por që nuk ka arritur asnjëherë në fazën në grupe. Kulmi ka qenë katër vite më parë, kur ka marrë pjesë për herë të parë në këtë kompeticion dhe arriti në fazën “play-off”, por që u eliminuan nga turqët e Trabzonspor.
[caption id="attachment_11007" align="alignleft" width="300"] Jonuz Hallaçi[/caption]
Një vit më parë ata u eliminuan nga Legia e Varshavës në turin e tretë eliminator, por bashkë me skualifikimin, ata morën gjobë të majme dhe humbjen e ndeshjes së zhvilluar në Tiranë me rezultatin 3-0. Për këtë arsye Kukësi do të luajë dy ndeshje pa tifozë këtë vit, ku e para do të zhvillohet nesër në “Elbasan Arena”.
Jonuz Hallaçi, pjesëtar i stafit të Kukësit, i cili kryen disa funksione me rëndësi në skuadër, sqaron situatën rreth ndeshjes, tifozëve dhe organizimit të “Fan Zone”. Ai zbulon se e kujt ishte ideja për të transmetuar ndeshjen në mes të Tiranës, por edhe sa tifozë priten.
“Organizatorët e ‘Fan Zone’ për Europianin ‘Francë 2016’ së bashku me TVSH-në kanë folur me drejtuesit e këtij evenimenti dhe për faktin se nuk ka ndeshje ditën e nesërme, ambienti do të shfrytëzohet për Kukësin. Kur dihet që tifozëve iu privohet hyrja në stadium, normalisht që kjo ishte diçka që duhej bërë nga ne. Siguroj që do të jetë stadium i vogël për tifozët kuksianë, të cilët do të jenë të shumtë në numër dhe që do e mbushin sheshin”, thotë fillimisht Hallaçi.
Duke qenë se ai është një nga njerëzit që qëndron më pranë presidencës dhe skuadrës, gjetëm rastin ta pyesim edhe për premio. “Është herët të flasim për premio, por me siguri që do të ketë. Presidenti Gjici gjithnjë ka qenë i gatshëm të qëndrojë pranë ekipit në një mënyrë apo në një tjetër, ndaj besoj se të gjithë do të shpërblehem. Shpresojmë në kualifikimin e skuadrës”.