Struga u eleminua nga Champions League, Duro: Më vjen keq për atë se çfarë dhamë në të dyja ndeshjet
Struga u mund ditën e djeshme nga ekipi lituanez Zalgiris me rezultatin 1-2, në ndeshjen që u zhvillua në Ohër. Ndeshja ishte e vlefshme për fazën e parë të Uefa Champions League.
Kujtojmë që Struga zhvilloi një ndeshje të mirë, madje shënuan të parët me anë të Ibraimit, por nuk arritën ta mbanin avantazhin, duke i dhënë mundësinë kundërshtarit të përmbysë rezultatin.
Pas eleminimit folën në media trajneri Shpëtim Duro dhe autori i golit për Strugën Besart Ibraimi.
“Sigurisht që na vjen shumë keq për atë se çfarë dhamë në të dyja ndeshjet. Në të dyja ndeshjet kam mendimin kemi bërë një paraqitje jashtëzakonisht pozitive, ndaj një skuadre kishte atë favor që pata thënë edhe para ndeshjes, si në eksperiencë, sin ë paraqitje, si në formë. Edhe sot paraqitja e skuadrës ka qenë jashtëzakonisht e mirë, kemi qenë gjithmonë në lojë, si me situate dhe raste si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën, shënuam gol në momentin më të bukur, këtu ndoshta 2-3 minuta gaboi skuadra, sepse ishte ai moment që sa po doja të bëjë zëvendësimet dhe ndodhi ajo që ndodhi”, tha trajneri Duro.
“Mendoj se i dominuam të dyja ndeshjet, ku patëm shumë raste, por fati nuk ishte me ne. Golin e shënova në moment shumë të mirë, tash ato 2-3 minuta që e pësuam golin, duheshe pak fat të kemi dhe most ë pranojmë gol dhe të kishte kohë të intervenonte edhe profesori. Mirëpo këto skena janë pjesë e futbollit, jemi të mërzitur, por kokën lartë, na pret ndeshje tjera”, u shpreh Besart Ibraimi.
Pas eleminit nga Champions League, Struga do të luajë akoma shanset e saj në Europë, ku në raundin e dytë të Conference League do të përballet me Buduçnost. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Ohër me datë 27 korrik.