Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KOMBETARJA

Triumfi përballë Serbisë nuk i mjafton, Sylvinho “kërcënon” edhe Jordaninë: Nuk e shoh si miqësore, dua fitoren!

Shkruar nga NEWSPORT
Triumfi përballë Serbisë nuk i mjafton, Sylvinho
Sylvinho

Pas fitores në Leskovac përballë Serbisë, Kombëtarja shqiptare do të luajë nesër në “Air Albania” miqësoren kundër Jordanisë. Kjo sfidë do të nisë në orën 19:00. Ndërkohë që në prag të këtij takimi në konferencën për shtyp para mediave ka folur trajneri i kuqezinjve, Sylvinho.

Nesër mundësi për Gripshin ose Caken?

Nuk mendoj se është miqësore, sepse futemi për të fituar. Nuk mendoj as për një formacion apo 11-she që s’kanë luajtur bashkë. Po punojmë shumë dhe nesër që në mëngjes do të kemi 11-shen që do të jetë në fushë. Do të shohim edhe si kombinohen me njëri-tjetrin. Kemi lojtarët që kanë 6 muaj apo 1 vit me ne, por kanë bërë një ndeshje. Gripshi dhe Cake më pëlqejnë shumë si lojtarë për personalitetin dhe për atë që kanë bërë deri tani në ekip.

Kanë kaluar disa orë nga ndeshja me Serbinë, e keni menduar rëndësinë e kësaj sfide. Do të bëjmë tifozeri për Andorrën, për të kapur “play-off”?

Jam pak i lodhur pasi rikthimi në shtëpi ishte i vonë dhe kishte njerëz në aeroport. Ajo kundër Serbisë fantastike, lojtarët kanë fituar eksperiencë në Europian. Jam i lumtur për ekipin. Është hera e parë që Kombëtarja në dy ndeshjet e fundit luan për kualifikimin, pasi jemi afruar shumë me “play-off”.

Sa shqiptar ndiheni nga 1-10 dhe një mesazh për tifozët për nesër për të vazhduar festën?

Pas kualifikimeve të Europianit dhe pas Europianit jam ndierë 7 shqiptar, ndërsa tani 8.5 ose 9. Aty u luajt futboll në fushë, por e di rëndësinë e ndeshjes për tifozët dhe për të gjithë. Fillimisht dua të jap një mesazh për lojtarët e mi, pasi secili mund të jetë në fushë, por edhe në pankinë. Unë nuk besoj në miqësore, mendojmë për hapin tjetër në nëntor, të jemi të përqendruar dhe të japim 200% tonë në atë ndeshje. Tifozët? Ta mbështesin Kombëtaren, me shpirt me zemër, mund të humbasësh një mundësi, një gol, por kurrë nuk i ka munguar gjaku kësaj skuadre. Kërkojmë suportin e tifozëve.

Na tregon urimin më të bukur për fitoren përballë Serbisë?

Shumë urime kam pasur, të gjitha janë të rëndësishme. Por kam pasur një bisedë telefonike me Roberto Mancini dhe pas ndeshjes më shkruajti që kam bërë shumë mirë. Por sigurisht që të gjitha kanë qenë të rëndësishme.

Keni filluar të studioni rivalët e mundshëm që mund të kemi në “play-off”, Hungarinë dhe Skocinë, por edhe Çekinë me Poloninë që i keni mundur?

Të jem i sinqertë, jo. Nuk kam parë asgjë. Unë e njoh veten time shumë mirë, momentalisht fokusi është tek ndeshjet e nëntorit, kemi një ndeshje nesër që mund të përdoren shumë gjëra për hapat e mëtejshëm. Nuk besoj në miqësore, por në mundësi. Mendja është te hapat e tjerë në nëntor.

Para ndeshjes me Serbinë, tifozët e cilësonin dështim dhe kërkonin largimin tuaj, çfarë qëndrimi keni me ndryshimin e mendimit të tifozëve?

Nuk mendoj për këtë çështje. E tillë është jeta e një lojtari dhe trajneri. Kam luajtur 15 vite si futbollist ndërkohë që kam 5-6 vite trajner. Jemi të mësuar me këto ulje-ngritje. Të jap shembull Rey Manaj, të cilin e njoh që prej 2014-ës te Inter. Shumë respekt për të si lojtar, por kur nuk shënonte thonin që nuk bën si lojtar, ndërsa tani ndodh e kundërta. Kështu është jeta e një trajneri, por edhe e një lojtari. Kemi hapa të rëndësishëm në vazhdim, bëmë mirë me Letoninë dhe Serbinë. Në nëntor na vjen një pjesë e rëndësishme.

Poll

Lexo gjithashtu