
Kombëtarja shqiptare do të luajë ditën e nesërme (të shtunën) përballë Republikës Çeke sfidën e vlefshme për raundin e 5-të të Nations League. Kjo ndeshje e cila do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, nis në orën 20:45. Në prag të këtij dueli ka folur mbrojtësi kuqezi, Arlind Ajeti.
Veteranët e këtij grupi, çfarë duhet t’i japësh ekipit një shtysë që nesër të arrijmë fitoren?
Besoj se kemi gjithë cilësinë e duhur për të arritur te Botërori, por është rrugë e gjatë. Të gjithë japim maksimumin dhe japim shpirtin për Kombëtaren, mund ta kapim edhe atë.
Cilin ekip do shohim nesër, atë të Pragës apo Tbilis? Mesazh për tifozët?
Mesazhi për tifozët është që të respektojmë himnin e Çekisë nesër dhe të tregojmë anën e mirë pavarësisht se çfarë ndodhi në Pragë, ne të tregojmë anën e mirë tonën. Është një ndeshje e vështirë, shpresojmë të shohim ndeshjen e Tbilis. Por jemi përgatitur mirë që të dalim me 3 pikë nesër.
Lojtari i Çekisë, Chory… si mendoni ta ndalni?
Ai ka bërë një ndeshje shumë të mirë dhe lojtar i rëndësishëm për Çekinë. Fizikisht është afër 2 metër dhe vështirë ta ndalësh. Shpresojmë që nesër ne mbrojtësit t’ja dalim që ta ndalim për të mos shënuar gol.
Sa e vështirë është ngjitja në Ligën A të Nations League, qëndrimi në Ligën B dhe sa rrezik ka të biem në Ligën C?
Unë besoj në ekip dhe cilësitë e çdo lojtari. Normalisht që ne synojmë të marrim vendin e parë, por çdo gjë është e mundur. Me cilësinë që e kemi, besoj se nuk do të biem nga Liga B.
E sheh grupin kuqezi për të fituar përsëri 3-0 me Çekinë në ‘Air Albania’?
Besojmë që mund t’ja dalim përsëri edhe pse është një ndeshje tjetër dhe fillon 0-0. Ne kemi kualitetin për të marrë përsëri një rezultat pozitiv. Shpresoj që t’ja dalim edhe kësaj here.
Cila është formula dhe sekreti që me Kombëtaren gjithmonë luani në nivel të lartë?
S’di të them formulën, por ndjenja në Kombëtare është gjithmonë ndryshe. Të jetë pjesë e Kombëtares është gjithmonë e veçantë dhe e dinë ata që janë. Në fushë futemi si ekip dhe kjo është diçka normale dhe sa herë jam këtu e ndiej diçka të tillë.