
Nga Retin Toka
Në një verë magjike që do të jetë gjithmonë në zemrat tona, kombëtarja shqiptare e futbollit shkruajti emrin në historinë e Europianit “Gjermani 2024”. Tifozët e shumtë lanë shtëpitë e tyre për të udhëtuar drejt shtetit gjerman, për të përjetuar bashkë me djemtë tanë ëndrrën e shumëmotshme, duke luftuar mes më të mirëve. Edhe pse shorti ishte i ashpër me ne, tentuam dhe provuam deri në minutën e fundit.
Çdo ndeshje ishte një skenë e pasionit dhe vendosmërisë si një testament i forcës dhe bashkimit tonë si komb. Të gjithë të bashkuar me kapiten Gjimshitin në krye, ekipi ynë tregoi se është i aftë të përballet si i barabartë mes më të mirëve. Sa në sulm e në mbrojtje, një gjë ishte e sigurtë: Vendosmëria e tifozëve për t’i mbështetur si në të mirë, ashtu edhe në të keqe.
Nuk kishte fjalë për të përshkruar momentin kur himni ynë kombëtar oshëtinte në stadiumet e Gjermanisë. Një ndjenjë krenarie dhe emocioni të kaplonte vetiu. Ishte një moment i shenjtë. Zemrat rrihnin fort dhe sytë njomeshin me lot gëzimi. 11 heronjtë kuqezi zbritën në fushë për të treguar se nuk janë vetëm sportistë të shkëlqyer, por edhe heronj të vërtetë që luftojnë me mish e shpirt për vendin e tyre.
Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe brazilianin që Sylvinho, që u dashurua me shikim të parë me ngjyrat kuqezi. Trajneri ynë bëri një punë të jashtëzakonshme, përgatiti një skuadër që luan bukur, por edhe i diktoi edhe pasionin për të luftuar deri në grahmën e fundit. Studioi, punoi, shumë net pa gjumë për të arritur në këtë kompeticion që shëtit në sytë e gjithë botës. Arriti t’i marrë më të mirën të gjithëve, duke krijuar një skuadër që është më shumë se sa shuma e pjesëve të tij. Ka qenë mes një stuhie të madhe për zgjedhjet e bëra, por kjo nuk e pengoi të shihte vetëm atë për të cilën është aty: Trajningun.
Oreksi vjen duke ngrënë dhe me sa duket me kualifikimin në Europian, u rritën edhe pritshmëritë. Mirëpo grupi me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën s’ishte aspak premtues, përkundrazi. Tifozët kuqezi pushtuan dukshëm Gjermaninë sepse ata nuk ishin atje për suksesin, por për të qenë përkrah heronjve të tyre. Brohoritjet e tyre u shndërruan në forcë për lojtarët tanë. Atmosfera elektrizuese, emocionet e pakrahasueshme dhe ndjenja e bashkimit kombëtar treguan dashurinë pa kushte për Shqipërinë tonë.
Në këtë verë, jetuam një ëndërr të bukur, kjo e servirur nga kombëtarja shqiptare e futbollit. Çdo përballje është një kapitull i ri, i një historie të mrekullueshme, ku çdo futbollist dha gjithçka për ngjyrat kuqezi. Ata tashmë janë heronjtë e këtij kombi. Janë shembulli për t’u ndjekur teksa na treguan se me punë të palodhur, përkushtim dhe dashuri për vendin, maja e suksesit është e prekshme.
Ndaj të gjithë bashkë le të brohorasim fort: Ti Shqipëri MË JEP NDER!
Ky Editorial është pjesë e numrit të 34-ët të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 27 Qershor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!