
Trajneri Sylvinho publikoi ditën e sotme listën e lojtarëve të grumbulluar për Euro 2024. Në këtë listë të përbërë nga 27 lojtarë, ku një nga këta do të largohet para 7 qershorit.
Një listë mjaft interesanet sidomos në repartin e sulmit, aty ku mungojnë lojtarë si Myrto Uzuni apo Sokol Cikalleshi. Sidomos mungesa e këtij të fundit është një nga më të komentuarat.
Sylvinho ka preferuar në ofensivë lojtarë që kanë bërë performanca të mira në muajt e fundit, apo gjatë gjithë këtij sezoni, duke mos preferuar kështu eksperiencën që ofron Sokol Cikalleshi. Ndryshe nga të tjerët, braziliani ka parësor performancat, sesa vitet që kanë mbi supe lojtarët apo kohën që ata kanë të veshur atë fanellë.
Pra, tekniku i Kombëtares shqiptare ka treguar se i interesojnë më shumë golat e shënuar nga Rey Manaj se ‘diktatura’ që Cikalleshi kishte vendosur në sulmin e kuqezinjve vitet e fundit.
Por ka edhe shumë raste ku forma e mirë me klubet, nuk ka qenë e tillë edhe me Kombëtaret, ku lojtarë të caktuar kanë patur ‘ngërç’. Një rast i tillë është pikërisht edhe i Myrto Uzunit, i cili pavarësisht sezonit personal pozitiv me Granadan në La Liga, u la jashtë Europianit, duke përvetësuar më shumë ‘teorinë’ e mësipërme.
Spanja mori në ekip për Europianin sulmuesin Joselu, i cili është 34 vjeç, po ashtu dhe Kroacia në repartin e sulmit mori lojtarë si Perisic 35 vjeç dhe Budimir 32 vjeç, ndryshe nga Sylvinho që sulmuesit i ka të gjithë nga mosha 29 vjeçare e poshtë.
Pritet të shihet nëse kjo metodë e Sylvinhos që ‘hedh poshtë’ eksperiencën të jetë një risi produktive dhe me një përfundim pozitiv.