Kombëtarja shqiptare tashmë është vetëm 90 minuta larg “ëndrrës amerikane”. Kuqezinjtë janë kualifikuar për herë të parë në fazën “Play-Off” të një Kupe Bote dhe në këtë mënyrë shkojnë vetëm një hap larg Botërorit.
Padiskutim që sa i takon statistikave, Shqipëria po kalon një moment fantastik. Pas pjesëmarrjes në Europian, tashmë kuqezinjtë ëndërrojnë edhe Botërorin. Padiskutim vështirësia është rritur, por kuqezinjtë në kualifikueset e Kupës së Botës kanë marrë vetëm 1 humbje.
Por ajo që nuk ka ndodhur kurrë më parë është se kuqezinjtë kanë marrë 5 fitore rresht. Këtu futen edhe ndeshjet miqësore. Shqipëria ka triumfuar ndaj Gjibraltarit, Letonisë, Serbisë, Jordanisë dhe së fundmi Andorrën.
Diçka e tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe tashmë kuqezinjtë kanë regjistruar një rekord të veçantë, i cili shpresojmë të zgjatet akoma. Ndërkohë sa i takon ndeshjeve në kualifikuese, ekipi i drejtuar nga Sylvinho ka luajtur 7 ndeshje, ku ka marrë 2 barazime, 4 fitore dhe vetëm 1 humbje. Është mposhtur vetëm nga Anglia në ndeshjen e parë të kualifikueseve dhe pikërisht anglezët do të jenë kundërshtari i radhës i kuqezinjve në kualifikuese. Duel ky që do të luhet ditën e nesërme në “Air Albania” në orën 18:00.
