Rudi Vata, një ikonë e futbollit shqiptar ka folur në podcastin ‘Pjesa e Tretë’ rreth të ardhmes së të birit.
Rocco, djali i ish-futbollistit të Kombëtares ende nuk ka bërë zgjedhjen përfundimtare se për cilën kombëtare do të luajë. Tek moshat, ai ka zgjedhur gjithmonë të përfaqësojë Irlandën, teksa mundësi përfaqësimi ka edhe për Skocinë ose Shqipërinë, vendin e origjinës.
Vata shpreson që djaloshi i talentuar të caktojë Kombëtaren si zgjedhje të preferuar, edhe pse nuk ushtrohet presion mbi të dhe është i lirë të luajë për cilindo shtet dëshiron.
“Shumë do të kisha dëshiruar që Rocco të bëhej lojtar i padiskutueshëm i Kombëtares. Në Shqipëri po erdhe do të kesh probleme, do të jesh i diskutueshëm.
Gjimshiti për shembull ka qenë i diskutueshëm kur erdhi, tani nuk është më. Probleme ka patur dhe Rashica. Për të kaluar mirë në Kombëtare duhet të punosh fortë që të bëhesh i padiskutueshëm. Më pas do të thirresh sepse ata do të t’a kenë nevojën.
Rocco duhet të rritet. Rocco është totalisht një person tjetër. Mendimi im është ky.
Unë nuk mund të jem as tifoz i Skocisë e as i Irlandës.
Përveç Shqipërisë, nuk bëhem tifoz me asnjë. Edhe nëse Rocco bëhet pjesë e tyre, unë rrallë do e shoh. Mund të shkoj të shikoj fëmijën tim, por nuk do të ndiej emocion.”, u shpreh Rudi Vata.