
Kombëtarja do të luajë mbrëmjen e së shtunën përballë Ukraninës sfidën e parë të Nations League. Sfida që do të zhvillohet në Pragë do të startojë në orën 20:45. Në prag të kësaj sfide ka folur trajneri, Sylvinho.
Ndryshimet nga ekipi i Europianit?
Kjo ndodh shpesh nëpër Kombëtare. Pas Europianit lojtarët nuk kanë pasur shumë pushime dhe janë grumbulluar menjëherë me Kombëtaren. Edhe Varshavë kemi pasur një situatë të ngjashme, por është mundësi e mirë për lojtarët e tjerë për të qenë pjesë e formacionit.
Arbër Hoxha gati për titullar?
Të gjithë lojtarët janë gati. Sot kemi stërvitje dhe nesër ushtrime sa për të ngrohur muskujt. Hoxha nuk ka nisur asnjë ndeshje nga minuta e parë, ka luajtur dy miqësore ka marrë minuta. Por kështu është rrugëtimi në Kombëtare, ai mbetet lojtar i rëndësishëm për ne.
Çfarë keni frikë ndaj Ukrainës?
Është një grup i vështirë ky i joni. Të katërta ekipet kanë qenë në grupet e Europianit. Trajner i Ukrainës është shumë i zoti dhe organizon shumë mirë skuadrën. Ka mesfushorë shumë të mirë dhe teknikë, dijnë të menaxhojnë situatat. Duhet të përballemi me të gjitha këto situata.
Broja te Everton, Mitaj në Arabi dhe Bajrami te Rangers… jeni të kënaqur?
Ne vazhdimisht i ndjekim lojtarët tanë. Ka qenë moment i vështirë që pas Europianit lojtarët kanë pasur presionin e merkatos. Por jam i lumtur, pasi kur lojtari është i lirë është më i relaksuar dhe mund të përqendrohet më tepër në lojë.
Rikthimi i Myrto Uzunit, por dhe Ismajli që ishte pa minuta në Europian. Mund ta ktheni entuziazmin?
Kjo është puna e Kombëtares. Kam patur fatin që të punoj në Kombëtare të tilla, si te Brazili. Kombëtarja është e hapur për të gjithë, lojtarët vijnë me shumë dëshirë për të përfaqësuar Kombin. Kur nuk ka dëshirë për të përfaqësuar, lojtari nuk mund të japë shumë. I shoh të gjithë të motivuar.
Cilën skemë do të përdorni ndaj Ukrainës?
Për një vit e gjysmë kemi luajtur 4-3-3, më pas 4-2-3-1 si në miqësore ndaj Kilit. Por ne i përshtatim skemat sipas karakteristikave të lojtarëve. Stafi duhet të punojë dhe të kuptojë lojtarët, si mund të përshtaten ata. Seferi mund të bëjë rolin e sulmuesit pak më të distancuar. Uzuni mund të luajë si sulmues qëndror, kështu që ne kemi lojtarë të fortë dhe mund të përshtatim skema të ndryshme.
Mënyra e lojës, do tentohet goli apo do të presim kundërshtarin?
Është e vështirë për të parashikuar një lojë si nga ana fizike apo teknike. Ata bëjnë një tranzicion të shpejtë sepse i kanë lojtarët e tillë. Kanë lojtarë cilësorë, ka mundësi që të bëjmë një lojë të fortë, pasi dhe ato janë të fortë fizikisht. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne do të luftojmë.
Ndryshimet në grup, pa Gjimshitin dhe Ajetin?
Sot jemi pa Ajetin dhe Gjimshitin, por kemi lojtarë që mund të përshtaten. Janë lojtarë me më pak minuta, por është një mundësi për ta. Unë mund të marr vetëm 24 lojtarë, por mundësia është për të gjithë, Kombëtarja është e hapur.
I kënaqur me 1 pikë në këtë transfertë?
E kam thënë edhe më parë, në ndeshjen e fundit ndaj Moldavisë neve na mjaftonte një barazim, por asnjë trajner nuk futet për të barazuar. Kemi lojtarë të rëndësishëm që na mungojnë, por do të futemi në fushë për të fiituar.