
Pritjes së tifozëve për të mësuar se cilët do të jenë lojtarët e grumbulluar nga Sylvinho për në Euro 2024 do të marrë fund ditën e nesërme. Në orën 16:00 do të shpallet lista e të grumbulluarve nga braziliani, por tashmë është mësuar lojtari i parë që ka marrë zyrtarisht ftesën nga timonieri i kuqezinjve.
Bëhet fjalë për Ernest Muçin. Ish-sulmuesi i Tiranës do të jetë pjesë e kombëtares shqiptare. Është Besiktas që ka zbuluar diçka të tillë, teksa në faqen zyrtare të klubit ka bërë të ditur të gjithë futbollistët që kanë marrë ftesë nga kombëtare e tyre.
Kështu në këtë listë është edhe emri i yllit të kombëtares, me klubin turk që i zbulon para kohe ftesën e Sylvinhos.

Kujtojmë se kombëtarja do të luajë dy ndeshhje miqësore në fillim të muajit qershor, para startit të Euro 2024. Fillimisht do të duelojë me Lihtenshtejnin më 3 qershior dhe 4 ditë më vonë do të sfidohet nga Azerbajxhiani.
Ndërkohë në Euro 2024 kundërshtarët e Shqipërisë në grupin B janë Italia, Kroacia dhe Spanja. Më 15 qershor kuqezinjtë do të debutojnë në Gjermani ndaj kombëtares italiane.