
Kristjan Asllani është bashkuar me skuadrën e Interit në SHBA, në kuadër të Botërorit të Klubeve. Mesfushori i Kombëtares shqiptare është pjesë e planeve të trajnerit Chivu, teksa ishte titullar në ndeshjen e parë kundër Monterrey.
Ndërkohë, ditën e sotme, 23-vjeçar nga Elbasani dhe ekipi i Interit ndodhen në Los Angeles. Pikërisht në këtë qytet, në hyrje të kampit stërvitor të Interit, Asllani është surprizuar nga një tifoz shqiptar.
Ky i fundit nuk ka ngurruar dhe s’ka kursyer aspak elozhet për mesfushorin shqiptar të klubit italian.
“O shqipe ku je o shqipe? Kristjan mirëseerdhe në Los Angeles. Jemi me fat që të kemi ty në Kombëtare, na prezanton me Interin me shumë dinjitet. Na bëhet qejfi kur shohim shqiptarë që na përfaqësojnë flamurin, gjakun, traditën”, thotë tifozi, i cili i rrëmbeu edhe një autograf futbollistit.