Arbër Hoxha po kalon një formë fantastike teksa vendi i titullarit nuk është më i diskutuar. Ai është kthyer në një lider absolut të gjigantëve kroat duke qenë një rrezik konstant në krahun e majtë të sulmit.
Sot, ai shënoi një tjetër gol për Dinamon, i dyti rradhazi në po kaq ndeshje kampionati. Anësori 25-vjeçar shënoi golin e barazimit 1-1 në minutën e 21’ falë një asisti të Misic. Stopim me të majtën dhe goditje direkte për të kaluar në limit portierin kundërshtar e për të dërguar topin në rrjetë me majën e këmbës.
Hoxha ishte një nga surprizat e Sylvinhos në Euro 2024 dhe sulmuesi ia doli t’i shpërblente besimin duke dhuruar performanca shumë të kënaqshme. Në Nations League ai pritet të ketë më shumë minuta në dispozicion.