
Juljan Shehu po kalon një moment të mrekullueshëm në karrierën e tij. Tre gola në tre sfidat e fundit për Widzew Lodz në Poloni dhe debutimi me Kombëtaren i kanë dhënë një shtysë të madhe mesfushorit 26-vjeçar. Në një intervistë për “EuroNews”, Shehu ka folur edhe më shumë.
“Tani u bënë tre vite që luaj në Poloni, nuk kanë qenë vite të lehta. Fillimi ka qenë pak i vështirë, pas dëmtimit gjithçka thuajse është perfekte dhe për momentin jam shumë i lumtur. E kam mësuar pak gjuhën, por është e vështirë të them të drejtën, por që komunikoj.
Paga në Poloni? Nuk di ta them herë sa sepse edhe në Shqipëri paguajnë me rroga të mira, nuk është keq. Kontrata skadon vitin tjetër.
Mendohet ndonjë lëvizje? Nuk e di këtë ia kam lënë në dorë menaxherëve, të shohim si do shkojmë edhe këto gjashtë ndeshje në kampionat.
Emocione në ndeshjen e parë me Kombëtaren? Emocionet janë normale besoj sepse është ndeshja e parë, por që në fushën e lojës u ndjeva mirë të them të drejtën. Jam 26 vjeç dhe nuk jam shumë i ri që të kem ato emocione dhe të mpihem, u ndjeva mirë të them të drejtën.
Kemi qenë një treshe e mirë në mesfushë kur ishim te Laçi bashkë me Deliun dhe me Lushkjen, merreshim vesh mirë me njëri-tjetrin. Edhe këto që kam në Poloni i kam të mirë. Por këtu lëvizim pak më shpesh, nuk jemi aq stabël.
Pozicioni që kam luajtur këto gjashtë vitet e fundit ka qenë roli i 6-it përpara mbrojtjes. Por në varësi të taktikave që kërkojnë trajnerët mund të luaj edhe si 8-sh pak më i avancuar.
Këto ndeshjet e fundit që kam luajtur tek ekipi kam qenë pak më i avancuar sepse trajneri kërkon të luajmë në mënyrë pak më të ndryshme. Tek Kombëtarja kërkohen gjëra të tjera dhe këtu gjëra të tjera. Duhet të përshtatemi ne si lojtarë, në varësi atyre që kërkon trajneri. Ndihem më mirë kur luaj 6-sh.
Këtu në kampionatin polak ritmi është më i lartë se në Shqipëri, besoj mund të jetë një nga kampionatet me ritmin më të lartë në Europë. Mua të paktën kështu më duket, këtu ekipet luajnë në tranzicion.
Në kampionatin shqiptar ka futbollistë që kanë kualitet të lartë që mund të luajnë në Europë.
Pas ndeshjeve ne Kombëtaren për mua ishte kulmi i karrierës sime, për mua është kulmi të përfaqësoj kombin tim. E kam thënë dhe në intervista të tjera më parë kjo është një ëndërr e bërë realitet për mua.
Këto ndeshjet e fundit trajneri më ka shtyrë pak përpara ku kanë ardhur dhe golat, është çështje pozicioni. Nuk është se kam ndryshuar unë personalisht, është thjesht çështje pozicioni në fushë”, u shpreh Shehu.