
Ndeshja që Kombëtarja shqiptare do të luajë me Serbinë në qershor është kthyer në qendër të mediave. Kjo pasi është një nga ndeshjet delikate për rrugëtimin e kuqezinjve në kualiifkueset e Kupës së Botës 2026.
Në lidhje me mundësitë e kualifikimit të skuadrës tonë në Botëror dhe sfida me Serbinë ka folur ish-legjenda kuqezi, Igli Tare. Ky i fundit ka theksuar se mundësitë nuk janë të mëdha, ndërsa dueli me serbët sipas shqiptarit do të përcaktojë drejtimin e Kombëtares në kualifikuese.
“Sa janë mundësitë e Kombëtares për të shkuar në Botëror? Mundësitë nuk janë të mëdha. Duhet të jemi realistë për vetën faktin se Anglia do të jetë dominuesja e këtij grupi. Me Serbinë do të jetë ajo ndeshja më e rëndësishme për të luftuar për vendin e dytë.
Duhet të fokusohemi te këto gjëra. Më la pak një shije te keqe mënyra e prezantimit të ndeshjes me Anglinë sepse ne kemi një trajner që ka një eksperiencë të madhe në botën e futbollit dhe atij fitues. Kështu që çfarë ka nevojë kjo skuadër, për mendimin tim është një lloj mentaliteti fitues dhe sidomos në këto ndeshje të mëdha ne nuk kemi se çfarë të humbasim, por vetëm fitojmë.
Do të më pëlqente ta shikoja skuadrën me një profil tjetër, nga mënyra e formacioni, por edhe nga mënyra e lojtarëve që kanë personalitet dhe mundësi teknike më të larta se dikush apo formë fizike më të mirë se një lojtar tjetër. Në këtë moment, ndeshja me Serbinë në fillim qershori do të jetë vendimtare, sepse do t’i jepte një drejtim skuadrës sonë”, ka deklaruar ish-drejtori sportiv i Lazios.