Shansi i humbur për t’u kualifikuar në Kupën e Botës i ka zhgënjyer të gjithë tek Kombëtarja. Edhe pse ka kaluar më shumë se një javë nga ajo humbje në Varshavë me Poloninë, shumë prej lojtarëve kuqezinj e ka shprehur në një mënyrë ose tjetrën ndjesinë e dhimbshme që nuk ia dolën të bënin historinë.
I radhës që ka shprehur emocionet e asaj sfide dhe për mënyrën se si rrodhën kronologjitë, është dhe Jasir Asani i cili u grumbullua nga trajneri Sylvinho për ndeshjen e “jetës”, por u la në tribunë pak orë para duelit.
Rasti i Bajramit sipas Asanit ishte shumë i mirë, por 30-vjeçari nënvizon ligjin e pashkruar të futbollit duke shtuar se shpesh fusha rezonon dhe gjëra të padrejta.
“Me thënë të drejtën ka qenë në përgjithësi një rrugëtim i mirë, pasi kemi fituar ndeshje të rëndësishme dhe arritëm deri në play-off, por ndonjëherë futbolli është i padrejtë. Në Poloni ne patëm rastet tona për të bërë golin e dytë por në futboll siç i thonë asaj shprehje, po nuk shënove do e pësosh. Kur je në tribunë e sheh ndryshe, Bajrami bëri çdo gjë shumë mirë, por ndonjëherë nuk shkon topi në portë, nuk ke fat. Ai është i mërzitur shumë, kishte shansin të bënte golin e dytë, por nuk ka qenë e shkruar”, tha fillimisht futbollisti i Kombëtares.
Vendimin e trajnerit për mosaktivizimin e tij, anësori e justifikon me faktin se fjala e fundit i takon pikërisht atij, edhe pse ndjen mërzitje që nuk mori minutat në fushë.
“Kush nuk ka qejf me qenë në fushë, unë mund të isha pak i mërzitur sepse edhe mund të luaja, por për atë vend trajneri vendos. Unë i jam shumë falënderues Sylvinhos sepse ai më solli në kombëtare. Ai që kur ka ardhur ka bërë një punë të jashtëzakonshme, u kualifikuam në Europian, tani ishim shumë afër play-off-it dhe merita i shkon atij. Grupin e ka pasur gjithmonë me vete dhe e ka”, shton ai.
Prej kohësh Asani ndodhet në Shqipëri, ku stërvitet rregullisht në kampin stërvitor të Partizanit për të mos humbur rendimentin e tij fizik, kjo dhe për shkak të situatës së tensionuar në Iran.
“Kontakte kam me lojtarët dhe klubin, por shumë pak sepse ata nuk kanë internet gjithë ditën, kanë vetëm 3-4 orë. Ishalla sa më shpejt vjen paqja. Ata nuk duan që të iki, më duan aty, por mbetet për t’u parë se sa duhet të pres sepse kështu pa stërvitje është shumë e vështirë. Rroga vazhdon, por është problem se s’ke si me e marrë rrogën se atje është luftë. Atje nuk funksionon tani asgjë”, tha ai.
Në fund pati dhe një koment për Partizanin, klub të cilin e konsideron si shtëpinë e tij.
“Normal ajo është shtëpia ime, në Shqipëri e kam thënë vetëm Partizani. Stërvitja te Partizani është një ambient që e njoh, këtu kam dalë kampion dhe ndihem shumë mirë. Ishalla del Partizani kampion, por duhet me i marrë ndeshjet një nga një, sidomos me ndeshjet e vogla se janë ato që ta humbin kampionatin”, përfundoi Asani.
