
Rey Manaj ishte heroi i Kombëtares shqiptare në fitoren ndaj Serbisë në Leskovac. Lushnjari arriti të shënonte një supergol në minutat shtesë të pjesës së parë për të “heshtur” serbët dhe për të bërë që festa në shpërthente në Tiranë. Ishte minuta e 45+2 kur Manaj “tundi” rrjetën e kundërshtarëve dhe i dha avantazhin kuqezinjve.
Një gol që padiskutim e kishte pritur dhe e kishte shumë dëshiruar që pas humbjes së penalltisë po ndaj Serbisë në Tiranë më 7 qershor. Në atë përballje Kombëtarja shqiptare fitoi penallti, me Manaj që e mori përsipër, por gaboi nga 11-metra para portierit. Edhe në atë përballje ishte minuta 45+2.
Si për ironi të fatit, në të njëjtën minutë që humbi penalltinë ndaj Serbisë në Tiranë dhe i “hoqi” Shqipërisë mundësinë për 3 pikët, lushnjari shënoi në Leskovac, duke “shlyer” kështu gabimin dhe duke i dhuruar ekipit tonë fitoren.