
Kombëtarja shqiptare nisi sot zyrtarisht grumbullimin dhe përgatitjet për dy ndeshjet e kualifikueseve të Kampionatit Botëror 2026. Kuqezinjtë do të luajnë ndaj Anglisë dhe Andorrës me 21 dhe 24 mars.
Juljan Shehu, mesfushori i ftuar rishtazi në Kombëtaren shqiptare tregoi emocionet e para pasi mori ftesën nga stafi kuqezi. Ai e cilësoi këtë moment si një ëndërr të bërë realitet dhe nënvizoi se do të japë maksimumin me kombëtaren.
“Ftesa nga Kombëtarja? Është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë krenar që jam përzgjedhur të përfaqësoj Kombëtaren. Është një nga ndjesitë më të bukura në botë. Shpresoj që ta përfaqësoj denjësisht dhe të jap maksimumin tim për ekipin si edhe për të rritur konkurrencën sepse i bën mirë ekipit.
Emocionet e para pasi more ftesën? Momentin e parë kur mora ftesën nuk dija si të reagoja. Isha i mpirë nga emocionet. U kontaktova nga stafi, ishte moment shumë i bukur.
Si e sheh rrugëtimin me Kombëtaren? Nuk kam ardhur për të qenë kalimtar. Shpresoj që rrugëtimi im të jetë sa më i gjatë në kombëtare. Kam ardhur me besimin për të bërë më të mirën.
Sa gati je pas dëmtimit? Viti i kaluar ishte viti më i vështirë në karrierën time, sidomos pas dëmtimit që pata. Por u rikuperova shumë mirë dhe shumë shpejt dhe jam 100% gati. Jam shumë mirë fizikisht, kam luajtur thuajse të gjitha ndeshjet me ekipin. Shokët e ekipit më kanë pritur shumë mirë si hera e parë që vij këtu. Kishte entuziazëm në ekipi. Më uruan dhe ishin aty për të më mbështetur”, ka theksuar Shehu.