Shorti i “Play Off”, i cili na pozicionoi përballë Polonisë, sjell duelin më të rëndësishëm për Kombëtaren tonë. Një sfidë kjo për të cilën të gjithë lojtarët duhet të bëjnë më të mirën, nëse duam që Shqipëria “të prekë” Botërorin.
Për përballjen ndaj polakëve ka folur edhe mesfushori Juljan Shehu. Ironi e fatit, pasi 27-vjeçari prej 3 vitesh e gjysmë është pjesë e Widzew Lodz në Poloni, duke qenë pika më e fortë e ekipit. Dhe kush më mirë se “djali i shtëpisë”, e njeh rivalin që do të ketë kundër.
Shehu ka pranuar formën e mirë të ekipit polak, por nuk ka harruar të përmendë faktin se avantazh për ta mbetet vetëm fusha.
“Të luash në shtëpi është gjithmonë një avantazh. Por ndeshjet eliminatore kanë rregullat e tyre dhe çdo gjë mund të ndodhë. Do të thoja se shanset janë afër një raporti klasik 50 me 50. Të dyja ekipet kanë cilësi dhe janë shumë të motivuara”, theksoi ish-lojtari i Laçit.
Rikujtojmë se mesfushori Juljan Shehu ka rinovuar kontratën me Widzew Lodz deri në vitin 2028.
