Amir Abrashi mbrëmjen e djeshme u nderua në një ceremoni të veçantë nga FSHF-ja për gjithë kontributin e tij të dhënë me Kombëtaren shqiptare para sfidës Shqipëri - Angli. “Pitbulli” i Shqipërisë, i dha fund kështu aventurës së tij me kuqezinjtë, teksa prej më shumë se 1 viti mungonte në listat e Sylvinhos.
Në një postim në rrjetet sociale, ish-mesfushori falenderon të gjithë për mbështetjen, në veçanti Armand Dukën, ish-trajnerët e Shqipërisë, Sylvinhon dhe tifozët. Gjithashtu shprehet se Kombëtarja është familja e tij e dytë dhe është shumë krenar që mbajti veshur këtë fanellë.
“Të dashur tifozë kuqezi,
Sot dua t’ju drejtohem me dorë në zemër për t’ju njoftuar se po e përmbyll kapitullin tim me Kombëtaren e Shqipërisë.
Ky nuk është një vendim i lehtë, sepse fanella kuqezi ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë nderi më i madh i jetës sime. Çdo ndeshje, çdo sfidë, çdo moment gëzimi apo dhimbjeje e kam jetuar me shpirt, për ju dhe për vendin tonë.
Dua t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen që më keni dhënë ndër vite. Ju keni qenë forca ime, motivimi im më i madh dhe arsyeja pse gjithmonë kam dhënë gjithçka në fushë.
Jam mirënjohës që kam qenë pjesë e këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm dhe që pata fatin të luftoj për ngjyrat kuqezi.
Kombëtarja është familja ime e dytë, e ju tifozët jeni zemra e saj.
Edhe pse karriera ime me Shqipërinë mbyllet këtu, zemra ime mbetet përgjithmonë kuqezi.
Në fund, dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Duka, për besimin dhe mbështetjen e tij në çdo hap.
Falënderoj nga zemra trajnerët Gianni De Biasi, Christian Panuçi, Edoardo Reja dhe Sylvinho për punën, udhëheqjen dhe besimin që më kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për gjithë stafin e FSHF-së, të cilët kanë qenë gjithmonë mbështetje e jashtëzakonshme në çdo moment të këtij rrugëtimi.
Faleminderit për gjithçka!”, ka shkruar ish-mesfushori kuqezi. Vlen të theksohet se Abrashi ka luajtur me Kombëtaren shqiptare në 51 ndeshje si kuqezi, kilometra pafund të bëra, pjesë e historisë dhe ka gjithashtu edhe dy pjesëmarrje në Europian.
View this post on Instagram
