Mesfushori sulmues, Medon Berisha po kalon ditët e tij të “arta” në skuadrën e Lecces. Kjo pasi ai ka “nderuar” dhe skuadrën e tij me një paraqitje dinjitoze. Por jo pak herë është bërë kryefjalë e artikujve mediatikë, në të cilat theksohen cilësitë dhe talenti i tij i padiskutueshëm.
Vlerësimi i radhës vjen nga trajneri i akademisë së Young Boys, Christian Franke. I cili dikur kujdesej dhe e kishte nën vëzhgim për rritjen e tij profesionale, Medon Berishën. Sipas tij, 22-vjeçari dalloi herët për talentin në fushë. Duke e konsideruar atë si një futbollist shumë vigjilent dhe dinamik në lojë.
“Medoni demonstroi cilësitë e tij që në moshë të re dhe ishte një lojtar interesant për ekipet tona. Nuk mund të përmend a i ngjan ndonjë lojtari të veçantë. Ai ka aftësinë ta kuptojë lojën, të marrë vendime, por është gjithashtu edhe i aftë të shënojë gola. Ai vendoi të shkojë jashtë vendit dhe ne gjetëm një zgjidhje me Lecce. Sot jemi të lumtur që ai po bën mirë në Seria A”, është shprehur Franke.
Rikujtojmë se mesfushori shqiptar, Berisha në 11 paraqitjet e bëra në Seria ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë 3 asiste. Ndërsa sa i takon Lecces skuadrës për të cilën ai luan, ndodhet në zonën e ftohtë me 13 pikë.
