Ernest Muçi arriti të fitonte Kupën e Turqisë me Besiktasin teksa mposhtën Trabzonspor në një finale drithërimash e cila përfundoi me fitoren 3-2 të bardhezinjve në minutën e fundit. Me këtë sukses, Besiktas siguron kështu pjesëmarrjen në Conference League, që ishte tejet jetik për klubin turk.
Muçi e nisi si titullar e në fund festoi me shokët e ekipit, por jo vetëm. Në stadium ishte edhe e dashura e tij, Klea Verri e cila iu bashkua në fushën e lojës duke përjetuar emocione të veçanta së bashku me ish-talentin e Tiranës.
Klea është basketbolliste e Tiranës dhe gjithashtu fitoi titullin kampion për vajza pak kohë më parë. Në Instagramin e saj ajo ndan një Story ku shfaqen të dy, secili me trofeun e Kupës në duar nën diçiturën: A e dini gjuhën e kampionit?
Me plot gojë, një çift kampionësh.
Ernesti dhe Klea janë të lidhur prej vitesh, që nga gjimnazi, dhe jetën sentimentale kanë preferuar ta mbajnë private, megjithatë së fundmi nuk fshihen më duke zbuluar akoma më shumë dashurinë e tyre që forcohet dita-ditës.