Alen Sherri ishte një nga futbollistët e Kombëtares shqiptare që lëvizi gjatë merkatos së janarit. Portieri 28-vjeçar u “rithirr” nga Cagliari, duke ndërprerë huazimin te Frosinone në Serie B. Në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, portieri shkodran ka folur pikërisht për aventurën e tij në ligën e dytë italiane dhe rikthimin në elitë.
Gjithashtu, Sherri është ndalur tek objektivat që ka me klubin e Cagliarit në Serie A, teksa tregon se ndeshja më e bukur, por me vështirësi, ka qenë ajo përballë një skuadra legjendare si Milan. Ndër të tjera, ish-kampioni i Superiores me Egnatian është ndalur edhe te Kombëtarja shqiptare, duke theksuar se “play-off” i Botërorit përballë Polonisë është i vështirë, por jo i pamundur.
Alen, ka kaluar më shumë se një vit nga largimi yt nga Egnatia drejt Cagliarit. Si e kujton sot atë hap të madh dhe sa të ka ndryshuar si portier dhe si profesionist?
Largimi nga Egnatia drejt Cagliarit ka qenë padiskutim hapi më i madh i karrierës sime deri tani. Një ëndërr e bërë realitet. Sot e kujtoj me shumë krenari, por edhe me respekt për vështirësinë që kishte. Kalimi nga kampionati shqiptar në Serie A të detyron të rritesh shumë shpejt, si teknikisht ashtu edhe psikologjikisht. Jam bërë më i fortë, më i përqendruar dhe më profesional në çdo detaj të punës sime.
Eksperienca te Frosinone në Serie B të dha minuta dhe përgjegjësi. Çfarë mësimesh more nga ai huazim dhe sa të ka ndihmuar për t’u kthyer më i pjekur te Cagliari?
Eksperienca te Frosinone ishte e rëndësishme, edhe pse nuk shkoi ashtu siç e kisha planifikuar. Fatkeqësisht u dëmtova që në ndeshjen e parë dhe kjo më pengoi të merrja vazhdimësinë dhe minutat për të cilat kisha shkuar aty. Sigurisht që ishte zhgënjyese në aspektin personal, por këto janë gjëra që ndodhin në futboll. Nga ajo periudhë kam mësuar shumë për durimin, forcën mendore dhe mënyrën si të rikthehesh më i fortë pas vështirësive. Edhe pse nuk mora atë që synoja në fushë, u ktheva më i pjekur si profesionist.
Tani je rikthyer sërish Serie A. Si është konkurrenca mes portierëve dhe cilat janë objektivat e tua personale për këtë sezon?
Konkurrenca në Serie A është shumë e fortë, sidomos mes portierëve. Çdo ditë në stërvitje është një betejë pozitive që të shtyn të japësh maksimumin. Objektivi im personal është të vazhdoj të rritem, të jem gjithmonë gati kur të më jepet mundësia dhe të kontribuoj sa më shumë për skuadrën.
Një sezon relativisht pozitiv për Cagliarin. Objektiv ende për të qëndruar sa më larg zonës së ftohtë, apo mund të kemi ndonjë surprizë si vendi i 6-të, që do të thotë “Conference League”?
Sezoni deri tani ka qenë relativisht pozitiv për Cagliarin. Objektivi kryesor mbetet qëndrimi larg zonës së rrezikut, sepse Serie A nuk të fal. Por futbolli është i paparashikueshëm, nëse skuadra gjen vazhdimësi dhe besim, pse jo të mendojmë edhe për diçka më shumë. Conference League do të ishte një ëndërr, por hap pas hapi. Edhe arritja e 10-shes së parë do ishte një arritje për klubin.
Serie A konsiderohet një nga kampionatet më të vështira, sidomos për portierët. Cili ka qenë momenti më sfidues për ty deri tani në Itali?
Vështirësia dhe bukuria njëkohësisht për mua ka qenë debutimi kundër Milanit. Të debutosh në Serie A përballë një skuadre me histori dhe cilësi të tillë është një moment që të vë realisht në provë, si teknikisht ashtu edhe mendërisht. Ishte presion i madh, por edhe një krenari e jashtëzakonshme. Janë ndeshje të tilla që të formojnë si portier dhe të bëjnë të kuptosh se je në rrugën e duhur.
Gjithashtu keni qenë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare, çfarë do të thotë për ty të veshësh fanellën kuqezi?
Të vesh fanellën kuqezi është nderi më i madh për çdo futbollist shqiptar. Është një ndjenjë që nuk përshkruhet lehtë, sepse përfaqëson familjen, vendin dhe gjithë sakrificat që ke bërë. Çdo grumbullim me Kombëtaren është motiv shtesë për të dhënë më shumë.
Shqipëria do të përballet me Poloninë në ndeshjen e play-off-it të Botërorit 2026. Sa e veçantë është kjo sfidë dhe me çfarë syri e sheh, si janë shanset tona?
Ndeshja ndaj Polonisë në play-off për Botërorin 2026 është shumë e veçantë dhe historike. Është një sfidë e madhe, por jo e pamundur. Kemi treguar që dimë të përballemi me ekipe të forta dhe besoj shumë te grupi. Me disiplinë, besim dhe mbështetjen e tifozëve, shanset tona janë reale.
E ardhmja e Alen Sherrit? Ku e shihni veten në merkaton e verës, te Cagliari, diku tjetër në Itali apo jashtë Italisë?
8. Për momentin jam i përqëndruar te Cagliari dhe dua të vazhdoj të rritem këtu. Merkatoja e verës është gjithmonë e paparashikueshme, por synimi im është të luaj sa më shumë, qoftë në Itali apo jashtë saj. E rëndësishme është projekti dhe mundësia për të vazhduar zhvillimim tim si portier. /Nikoll RAJTA/
