Mirlind Daku është një nga sulmuesit më të përfolur gjatë këtyre kohëve, jo vetëm te Kombëtarja shqiptare, por edhe në arenën ndërkombëtare.
27 vjeçari po bën një sezon fantastik me skuadrën e Rubin Kazan, ku në 16 ndeshje të luajtura ka arritur të realizojë 9 gola. Forma e tij e jashtëzakonshme ka tërhequr vëmendjen e një prej skuadrave më të njohura në Itali, asaj të Fiorentinës.
Skuadra që momentalisht ndodhet në një krizë rezultatesh, ka afruar në planet e saj "bomberin kuqezi" dhe do të tentojë transferimin e tij në merkaton verore. Pritet të jetë e vështirë, pasi skuadra e Rubin Kazan e konsideron si të paprekshëm sulmuesin shqiptar, por në fund zgjedhja do të jetë në dorën e tij.
Edhe pse u përfol për një transferim tek skuadra e CSKA-së së Moskës këtë merkato vere, shqiptari zgjodhi të rinovonte me klubin e tij deri në vitin 2029.
Megjithatë një ofertë nga një klub si Fiorentina vështirë se mund të refuzohet nga gjilanasi, i cili do ta mendonte seriozisht "braktisjen" e Premier League ruse.
