
Armando Broja ishte i pafat ditët e para të vitit 2025. Kjo pasi sulmuesi mori një dëmtim, duke u ndalur në një moment të mirë, ku shqiptari në sfidat e fundit arriti të fitonte vendin e titullarit te skuadra e Everton.
Por pavarësisht se aktualisht po rikuperohet nga dëmtimi, sulmuesi i Kombëtares ka përfunduar në qendër të merkatos. Siç dihet Broja është i huazuar te Everton deri në fund të sezonit, teksa kartoni i tij është në pronësi të Chelsea.
Kjo nuk i ndalon ekipet e tjera të studiojnë këtë “pistë”. Kështu sipas mediave afër skuadrës së Atalantës, Broja është një nga emrat që pëlqehet për sulmin. Bashkë me emrin e Brojës në zyrën e bergamaskëve janë edhe dy sulmuesit e tjerë të Everton, Beto dhe Dominic Calvert-Leëin.
Skuadra ku luan Berat Gjimshiti, po shqyrton disa alternativa, teksa në ditët e ardhshme pritet të mësohet më shumë mbi këto emra.