
Shqipëria do të luajë ndeshjen e jetës ndaj Spanjës, më 24 qershor në orën 21:00. Në stadiumin ‘Merkur-Spiel Arena’ të Dusseldorfit, kuqezinjtë sfidojnë iberikët për kualifikimin në fazën tjetër.
Spanja tashmë ka siguruar vendin e parë dhe trajneri De La Fuentes zbuloi se do të luajë me formacionin e dytë për të pushuar titullarët. Kjo përbën një lajm fantastik në njëfarë mënyrë për Shqipërinë e cila do të ketë përballë një ekip me më pak impenjim për të fituar.
Megjithatë, Spanja mbetet Spanja dhe lojtarët e stolit janë të nivelit të lartë si Oyarzabal, Dani Olmo, Ferran Torres e shumë të tjerë që do të luajnë.
Por, futbolli i rezervon të gjitha dhe mrekullitë i kemi parë disa herë. Pavarësisht vështirësisë në fushë, tribunat do të jenë në ndihmë të djemve të Sylvinhos. Plot 35 mijë shqiptar do të ngjyrosin kuqezi shkallët e tribunave, kundrejt 10 mijë spanjollëve.