
Numërimi mbrapsht ka nisur, vetëm 11 ditë na ndajnë nga nisja e finaleve të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025” dhe përgatitjet po zhvillohen me intensitet të lartë. Federata e Futbollit po punon intensivisht për të përmirësuar infrastrukturën sportive, me fokus të veçantë në stadiumet dhe terrenet stërvitore që do të mirëpresin këtë event madhor.
Një nga impiantet ku po kryhen investime të rëndësishme është stadiumi “Roza Haxhiu” në Lushnje. Punimet janë drejt mbylljes dhe fusha po merr pamjen përfundimtare. Grupi teknik i FSHF-së ka përfunduar ndërhyrjet në sistemin e vaditjes dhe aktualisht është në fazën finale të mbjelljes së fushës, për të garantuar një terren cilësor dhe të përshtatshëm për ekipet pjesëmarrëse.
Ky është vetëm një nga terrenet që po përgatiten për të përmbushur standardet e larta të organizimit dhe mikpritjes. Ndërkohë, nga java e ardhshme pritet mbërritja e ekipeve finaliste, ndërsa Shqipëria do të kthehet në epiqendrën e futbollit europian për të rinjtë, për disa ditë me radhë.