Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur edicionin e dytë të kursit UEFA B Fitness Coach, një program ky i rëndësishëm për certifikimin e përgatitësve atletikë dhe profesionalizimin e përgatitjes fizike në futbollin shqiptar. Kursi do të zhvillohet në katër blloqe gjatë vitit 2026, duke kombinuar aspekte teorike dhe praktike, me fokus të veçantë te ngarkesa fizike dhe përgatitja e lojtarëve sipas grupmoshave.
Chris Barnes, ekspert i shkencës sportive, mentor dhe këshilltar i UEFA-s, në një intervistë për fshf.org theksoi rëndësinë e kursit dhe nënvizoi impaktin që një licencë e tillë ka për një përgatitës atletik.
“Ky zhvillim vjen si rezultat i edicionit të dytë të kursit, ku një numër i konsiderueshëm trajnerësh e kanë ndjekur atë. Ky është një vlerësim shumë pozitiv për përgatitjen atletike në Shqipëri, pasi kursi ka qenë i fokusuar në profesionalizimin dhe standardizimin, duke krijuar standarde bazë. Grupi i trajnerëve që do të përfitojë nga ky kurs ka fituar një kualifikim që mund të shërbejë si ‘pasaportë’ europiane, duke u dhënë mundësinë atyre të punojnë edhe jashtë vendit.”
Iris Selimi, Përgjegjës i Sektorit Performance në FSHF, në një prononcim për fshf.org ndau disa detaje ku do të fokusohet kursi.
“Jemi në sezonin e dytë të UEFA Fitness Coach B, një kurs shumë i rëndësishëm për përgatitjen fizike, ku do të përcaktohen ngarkesat dhe dituritë, mes pjesës teorike dhe praktike për kursantët. Ky kurs intensiv, i ndarë në katër periudha të ndryshme gjatë vitit 2026, do të japë informacion shumë të rëndësishëm për ngarkesën në futbollin e vajzave, me fokus të veçantë te grupmoshat.”
Ky kurs synon të krijojë standardet bazë për përgatitjen atletike, duke përmirësuar jo vetëm nivelin e trajnerëve, por edhe performancën e lojtarëve, dhe duke hapur rrugë për mundësi profesionale më të gjera në futbollin shqiptar dhe më gjerë.
