
Teksa është i grumbulluar me Kombëtaren shqiptare në prag të EURO 2024, Kristjan Asllani ka dhënë një intervistë të shkurtër për mikrofonat e “Sportmediaset”. Si fillim foli për Interin, por mesfushori u ndal edhe te Kombëtarja dhe Europiani.
Kristjan Asllani thotë se është në dijeni që grupi është shumë i fortë dhe Shqipërinë nuk e llogaritin si një kundërshtar, por numri 21 i Kombëtares thekson se kanë punuar shumë për të surprizuar të gjithë në Gjermani.
“Jemi në një grup të fortë dhe nuk na llogaritin, por ne kemi arritur këtu me meritë, duke djersitur shumë. Po punojmë shumë për të bërë të tjera surpriza, duke nisur nga ndeshja me Italinë, të cilën mezi e pres. Kam folur shpesh me shokët e mi te Interi për këtë përballje. Tani kam luajtur dy ndeshje miqësore të plota dhe kam ritmin e duhur në këmbë. Jemi gati të bëjmë maksimumin në fushë”, u shpreh Asllani.