
I ftuar në emisionin “Mega Sport” në A2CNN, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Ilirjan Alliu ka folur për fitoren historike kundër Serbisë. Alliu ka theksuar se serbët do jenë penduar për zhvillimin e ndeshjes në Leskovac, pasi Kombëtarja jonë i vendosi nën terror.
“Sot po t’i pyesësh serbët që e kanë kërkuar ndeshjen në Leskovac, të jesh garant që janë bërë pishman. Ata e kërkuan me insistim ta bënin ndeshjen në Leskovac për shkak se dihej që presioni i madh mbi ta dëmtonte ekipin serb. Sepse nuk ke çfarë i bën Kombëtares së Shqipërisë.
Do të mbrohet me patjetër, edhe me ushtri. Nuk i ndodh asgjë futbollistëve atje, kur janë paralajmëruar nga një situatë e mëparshme. Por presioni nga 70-80 mijë tifozë që duan me patjetër të fitojnë me Shqipërinë, ata do t’i vinte në terror. Por fati e deshi që të shkonim në një stadium si Leskovaci dhe nuk i vunë tifozët e vetë në terror, i vuri Kombëtarja jonë në terror me atë rezultat që mori”, tha Alliu.