
Kombëtarja shqiptare mori një fitore historike përballë Serbisë me shifrat 0-1, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026. Ndërkohë që këtë ndeshje e ka analizuar edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
I ftuar në emisionin “Opinion” në TVKlan, Balla tregoi se ç’kishte folur me Armando Brojën për një nga momentet e lojës. Ndër të tjera, politikani nuk kurseu elozhet për Juljan Shehu, i cili sipas tij i kishte lënë mbresa të mëdha me paraqitjen e tij.
Blendi Fevziu: Taulant ti vetëm që nuk luajte në fushë, se isha gjithandej, gjithë kohën. Edhe mund të kishe luajtur minutat e fundit disa momente.
Taulant Balla: Të dy ishim gati për të hyrë në minutat e fundi, edhe regjisori yt. Nuk them kurrë emra se kush më pëlqeu. Në çdo eliminatore ne fitojmë 1, 2, 3 futbollistë. Në këto eliminatore kemi fituar një futbollist si Juljan Shehu. E nisi nga kampionati shqiptar, nga Laçi luan në Lods. Po flisnim me presidentin Duka, po bënim analizë.
Shehu kishte përballë futbollistë me vlerë 60 milionë euro. Jo vetëm që bëri një ndeshje të mirë, por mund ta shohim në kampionatet më të mira. I falënderuam të gjithë, por edhe Ajeti ka bërë ndeshje të mirë. Unë kam dobësi për të gjithë, por për Brojën në mënyrë të veçantë, është e vërtetë. E pyeta për rastin në anësorë dhe e vërteta është që topi u ngrit lart dhe kaloi në krahun tjetër.