Kombëtarja shqiptare u njoh ditën e sotme me kundërshtarin e gjysmëfinales së “play-off”. Pikërisht në atë fazë, kuqezinjtë tanë do të përballen në transfertë me Poloninë, ndërkohë që në rast kualifikimi do të luajnë kundër Suedisë ose Ukrainës.
Pikërisht edhe në finalen e mundshme, Shqipëria do të luajë në transfertë, por mund të buzëqeshë nëse do të përballej me Ukrainën. Kjo për shkak se Ukraina edhe ndeshjet pritëse, i luan në stadium asnjëanës, pra një plus i madh për kuqezinjtë tanë.
Edhe pse do të ishte përsëri transfertë, Ukraina si pritëse jashtë kufijve të saj për shkak të luftës, do të ulte jo pak “favorizimin shtëpi”. Megjithatë, mbetet vetëm një hipotezë, pasi rruga për të shkuar në finale, kalon nga Varshava.
