Në prag të ndeshjes historike të play-off-it të Botërorit 2026 ndaj Polonisë në muajin mars, zv.trajneri i Kombëtares shqiptare, Pablo Zabaleta, flet për përgatitjet intensive të stafit teknik, analizën e kundërshtarëve dhe gjendjen e lojtarëve kuqezi.
Nga ndjekja e drejtpërdrejtë e futbollistëve në Itali e Spanjë, te studimi i detajuar i Polonisë, Ukrainës dhe Suedisë, Zabaleta thekson rëndësinë e informacionit, komunikimit me lojtarët dhe ruajtjes së balancës mes entuziazmit dhe realizmit. Me optimizëm, por edhe me këmbë në tokë, në intervistën e tij për FSHF TV ai nënvizon se Shqipëria ka cilësinë dhe besimin për të synuar një arritje historike: kualifikimin në Kupën e Botës.
– Si po shkojnë përgatitjet për ndeshjen e play-off-it në mars?
– Po shkojnë shumë mirë. Sidomos këtë javë, që kemi qenë i gjithë stafi bashkë duke punuar. Siç e dimë, disa trajnerë janë këtu, unë jam herë pas here në Spanjë duke parë ndeshje, ose disa të tjerë në Itali, por sigurisht pas 2-3 javësh takohemi të gjithë, ndajmë informacion dhe, në fund të ditës, kjo e bën punën më të lehtë. Ka qenë një javë shumë e mirë, duke analizuar skuadrat, duke parë lojtarët tanë. Jam i lumtur me mënyrën sesi po shkon java dhe si duket e ardhmja.
-Në cilën fazë të punës jeni aktualisht me stafin?
– Kemi qenë duke vëzhguar lojtarët tanë nëpër udhëtimet që kemi bërë, por sidomos duke parë ndeshjet e lojtarëve. Pjesëtarët e departamentit të analizës na kanë sjellë informacion mbi 3 ekipet me të cilat mund të ndeshemi në mars. Polonia sigurisht është e përcaktuar, por duhet të shikojmë Ukrainën dhe Suedinë po ashtu. Është e rëndësishme të kemi informacion rreth këtyre skuadrave, sidomos sepse kanë pasur ndryshim trajnerësh dhe kanë ide të reja. Kemi parë ndeshjet e tyre. Po ashtu, jemi duke u kujdesur për lojtarët; disa prej tyre kanë pasur probleme fizike së fundmi, ndaj kemi mbajtur komunikim edhe nëpërmjet doktorit. Specifikisht, ndjekja e lojtarëve tanë ka qenë çështja kryesore këtë javë.
-Kemi parë që keni ndjekur dhe takuar nga afër lojtarët e Kombëtares. Çfarë impresioni keni pasur?
– E vërtetë, kemi qenë në Itali disa herë për të parë disa ndeshje. Kemi takuar Gjimshitin dhe Hysajn, dy nga kapitenët dhe ndër lojtarët kryesorë të Kombëtares. Ndonjëherë nuk kemi mundësi t’i takojmë shpesh, sidomos nga nëntori deri në mars, që është ndoshta periudha më e gjatë nga një ndeshje te tjetra dhe duket sikur humbet pak ajo lidhja me lojtarët. Mund të shohësh ndeshje drejtpërdrejt apo nga zyra, por është gjithmonë mirë për ne të kemi kontakt me lojtarët, përballë, të ulemi në një darkë apo kafe dhe të flasim mbi atë çfarë po vjen. Kjo ka qenë një gjë shumë e mirë, pozitive. Ndonjëherë lojtarët flasin me njëri-tjetrin po ashtu; nëse takon Gjimshitin, ai ka folur me lojtarët e tjerë dhe mund të dëgjosh prej tij që edhe ata po i presin ndeshjet e marsit. Besoj se edhe lojtarët po i presin këto ndeshje dhe për ne si staf është një mesazh shumë pozitiv.
– Duke marrë parasysh gjendjen e skuadrës, kundërshtarin dhe përgatitjet që po bëni, sa besoni se mund të arrijmë të kualifikohemi për në Botëror?
– Ne kemi luajtur ndaj Polonisë 3 vite më parë, por nuk mund të themi që është e njëjta skuadër. Mund të kenë disa lojtarë të njëjtë, por janë në një moment tjetër, me një trajner të ri; mënyra si luajnë është tërësisht ndryshe. Duket sikur kanë më shumë vetëbesim. Këtë javë kemi parë 5-6 ndeshje të tyre me trajnerin e ri dhe do të jetë shumë e vështirë. Sigurisht, duhet ta respektojmë Poloninë, pasi fakti që kemi fituar ndaj tyre herën e fundit në Shqipëri nuk do të thotë se do të jetë e njëjta gjë. Polonia është një skuadër që shkon përherë në këto faza, qoftë në play-off apo duke u kualifikuar në Kampionat Europian apo Botëror, duke luajtur ndeshje të tilla. Pra, kanë eksperiencën e të qenit në këtë situatë edhe më parë.
Për Shqipërinë, për ne, është hera e parë, ndaj është shumë e rëndësishme të besojmë që mund t’ia dalim. Sigurisht, mund të na mungojë eksperienca e të përjetuarit të kësaj situate më parë, por ajo që duhet të sjellim në këtë ndeshje është shpresa e gjithë kombit. Ne i njohim lojtarët tanë, cilësitë e tyre dhe e dimë që mund t’ia dalin. Kemi besim dhe jemi optimistë që do të vijmë në këtë ndeshje me qëllimin dhe energjinë për të luajtur ndaj Polonisë dhe shpresojmë të kalojmë në fazën tjetër. Më pas kemi një ndeshje tjetër për të plotësuar qëllimin kryesor, që është shkuarja në Botëror, që do të ishte diçka fantastike. Por sigurisht, fokusi ynë kryesor tani është ndeshja e radhës ndaj Polonisë dhe shpresoj që të kemi një performancë të mirë dhe t’i mundim.
– Kur flasim për kualifikimin, a besoni se mund të shkojmë në Botëror?
– Siç thashë, kur e shikoj skuadrën tonë duke luajtur, kur shoh lojtarët apo kur flas me ta, është hera e parë për këtë komb dhe për Kombëtaren që të arrijë në një ndeshje të tillë. Ata janë të gjithë shumë krenarë për këtë dhe janë entuziastë për këtë ndeshje, gjë që ne si staf teknik e shohim qartë. Lojtarët po e presin këtë moment. Kjo është diçka fantastike.
Siç e thashë, në futboll duhet të kesh vetëbesim, të besosh te vetja, por gjithashtu duhet të jesh me këmbë në tokë, sepse nuk do të jetë e lehtë. Mënyra se si duhet t’i qasemi kësaj ndeshjeje është duke respektuar kundërshtarin, por duke dhënë 100% tonin. Kemi shanse. E kemi vërtetuar më parë ndaj këtyre ekipeve; mund t’i mundim, sidomos sepse kjo është hera e parë. Është një shans i madh për Shqipërinë. Të gjithë presim të përjetojmë eksperiencën e pjesëmarrjes në Kupën e Botës në qershor, por për këtë kemi ende dy hapa të tjerë. Le të marrim hapin e parë, më pas të dytin, dhe pastaj do të vijë momenti kur mund të festojmë të gjithë bashkë.
