Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KOMBETARJA

"De Biasi më i mirë se Sylvinho", Debatik Curri "injoron" ekipin historik: Kjo Kombëtare më e fortë se ajo e 2016-s, në kohën time grumbulloheshin lojtarë pa skuadër

Shkruar nga NEWSPORT
"De Biasi më i mirë se Sylvinho", Debatik Curri
Debatik Curri

Ish-mbrojtësi i Shqipërisë, Debatik Curri ka folur së fundmi për Kombëtaren shqiptare të këtij viti që do të jetë pjesëmarrëse edhe në EURO 2024. Curri thotë se ky ekip është shumë më i fortë se ai i vitit 2016, vit në të cilin Shqipëria u kualifikua në Europian për herë të parë në histori.

Në një intervistë të dhënë për "GazetaBlic", tekniku 40-vjeçar thotë se ky ekip ka lojtarë që luajnë në skuadra të rëndësishme. Më tej Curri thekson se në kohën kur ai luante, në Kombëtare grumbulloheshin edhe lojtarë që ishin pa ekip, pra, pa asnjë minutë loje në këmbët e tyre.

“Ky ekip i këtij viti është më i fortë se ai i 2016-s. Një ndër arsyet është që ndeshjet dhe kundërshtarët nuk i kemi pasur të lehta, por kemi marrë fitore bindëse ndaj Çekisë dhe Polonisë. Futbollistë që janë aktivizuar luajnë në skuadra shumë të rëndësishme. Për shembull Armando Broja me Chelsean, Asllani te Interi, Ramadani te Leçe, Gjimshiti te Atalanta kampione Europe, Kumbulla te Roma, Hysaj ka qenë te Lacio. Të gjithë futbollistët po luajnë në nivel të lartë. Në kohën kur kemi qenë ne ka pasur edhe futbollistë që kanë adhur pa ekip. Mendoj që kjo Kombëtare është shumë më e fortë”, është shprehur Debatik Curri.

Më tej Debatik Curri ka krahasuar edhe trajnerët. Ish-i i Kombëtares thotë se Sylvinho është shumë mirë taktikisht, por De Biasi është më i mirë si trajner. Curri thekson se ka punuar më shumë me De Biasin dhe ka marrëdhënie të mira me të, prandaj ndanë edhe këtë mendim.

“Mes Sylvinhos dhe De Biasit, unë e zgjedh De Biasin. Kam punuar me të, e di si punon, e njoh si njeri, si personalitet, si karakter, motivimin që e bën, e stërvitjet. Grupin ka ditur ta mbajë, teksa me Sylvinhon nuk më ka rënë të punoj, por edhe s’e njoh për punën, vetëm sa kam dëgjuar se është i mirë taktikisht, ndjek shumë lojtarë, motivues i mirë, por personalisht për mua është më i mirë De Biasi.

Me De Biasin kontaktojmë shpesh, kemi pirë kafe sa herë ka ardhur në Kosovë, është ndër personat me të cilët kam pasur marrëdhënie shumë të mirë. I vetmi trajner ndoshta gjatë periudhës që më ka mbetur një komunikim më i gjatë me të”, ka thënë më tej Curri.

Poll

Lexo gjithashtu