Boksieri shqiptar, Jurgen Uldedaj, "korri" një fitore historike mbrëmjen e djeshme, duke u kurorëzuar kampion bote në kategorinë IBO Cruiser të boksit profesionist.
Ai mposhti kampionin kamerunas, Rolly Lambert Fogoum, në një ndeshje të ngushtë dhe të fortë, duke treguar teknikë të shkëlqyer dhe një përgatitje të jashtëzakonshme fizike.
"Kampion i botës IBO – ëndrra u bë realitet! Sot është dita që kam ëndërruar gjithë jetën time. Pas shumë viteve sakrifice, mundi dhe besimi në Zot, u shpalla Kampion i Botës IBO në peshën cruiser. Ky titull nuk është vetëm i imi – është për gjithë shqiptarët kudo që janë.
Për ata që besuan tek unë, për ata që më mbështetën, dhe për çdo djalë apo vajzë që ka një ëndërr — asgjë nuk është e pamundur nëse nuk dorëzohesh. Faleminderit ekipit tim, familjes, trajnerëve dhe çdo personi që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Sot shkruam histori për Shqipërinë", shkruan boksieri lezhjan.
Uldedaj e dominosi ndeshjen dhe siguroi fitoren pas raundeve të forta, duke u shpallur fitues në “O₂ Arena” në Londër. Ky është një sukses historik për boksin shqiptar, pasi Uldedaj bëhet boksieri i parë nga Shqipëria që arrin një titull botëror në këtë kategori.
Ky triumf jo vetëm që ndihmon në ngritjen e imazhit të sportit shqiptar, por gjithashtu i sjell nder edhe qytetit të tij të origjinës, Lezhës. Fitorja e tij është një moment krenarie për të gjithë tifozët e boksit në Shqipëri dhe më gjerë.
