Vëllezërit boksierë, Roberto dhe Amarildo Bakaj ia dolën të merrnin dy fitore spektakolare mbrëmjen e djeshme përballë dy kundërshtarëve të tyre në eventin e zhvilluar në Angli. Roberto fitoi me Knock-Out, ndërsa Amarildo triumfoi me dorëzim të kundërshtarit.
Pas suksesit, të dy vëllezërit dhanë një intervistë për “Fight or Flight” ku treguan emocionet e tyre pas fitores dhe i hapën sfidë dy boksierëve të njohur, Dimitri Bivol dhe Tommy Fury.
“Publiku është forca ime, më bën më të fortë. Në sekondat e para theva dorën, por ia arrita dhe ia dola vetëm me dorën e majtë. Kisha frikë nëse arbitri do të ndalte ndeshjen, por unë nuk e dhashë veten pasi theva dorën. Pashë që edhe kundërshtari ishte në formë të mirë dhe u shqetësova nëse do më mposhtte, por u fokusova mirë dhe bëra planin tim. Në fund fitova me Knock-Out”, tha Roberto Bakaj.
Më pas foli edhe vëllai i vogël, Amarildo Bakaj:
“Unë ndoqa planin tim, e lashë kundërshtarin të sulmonte pasi besoja te dora ime e djathtë. E godita dhe atij iu morën këmbët dhe nuk e dinte ku ishte. Prita vetëm momentin për t’ia fikur dritat komplet. Trajneri i atij e kuptoi këtë dhe hodhi peshqirin. Unë do të doja të zgjaste më shumë ndeshja”, u shpreh Amarildo Bakaj.
“Jemi të gëzuar pasi i kemi bërë yzmetin punës për të marrë këto rezultate. Gjithmonë duam rezultate më të mira dhe do të punojmë akoma edhe më shumë për t’i arrirë. Merita për fitoren tonë është edhe e trajnerit tonë që ka dhënë shpirt çdo ditë ku ka lënë familjen vetëm për të na stërvitur ne.
Falenderoj të gjitha tifozët që na mbështetën, do japim gjithmonë maksimumin dhe nuk do ju zhgënjejmë”, u shprehën të dy njëzëri.
Në fund, vëllezërit Bakaj bëjnë një thirrje ndeshje me boksierët e nohur Dimitry Bivol dhe Tommy Fury:
“Shpresoj të ma pranojnë ofertën dhe jam gati të ndeshem me Bivol. Jam më gati se kurrë dhe do t’ja vërtetoj sa gati jam”, thotë Roberto.
“Kam një vit që i kam kërkuar ndeshje Tommy Fury, akoma nuk kemi marrë përgjigje. Ai e di shumë mirë, do të ishte një ndeshje e mirë dhe jam gati të ndeshem me të”, tha Amarildo.