
Superliga është drejt fundit për këtë sezon dhe titulli kampion është akoma i diskutueshëm kur kanë mbetur edhe 5 javë për t'u luajtur. Akoma nuk ka një skuadër konkrete që mund ta fitojë titullin, pasi ky sezon është edhe më i bukur dhe do të luftohet deri në fund të tij.
Kukësi, Partizani, por edhe Skënderbeu. Të treja këto skuadra janë të hapura për garën deri në përfundim të kampionatit dhe titulli kampion do të jetë i njërës prej skuadrave. Por cila do të shpallet fituese4 në fund? Rivaliteti është mjaft i madh dhe ja se si Kukësi mund të shpallet kampione këtë vit.
Luan tri ndeshje jashtë fushe ndaj Partizanit, Korabit dhe Luftëtarit, si dhe dy në shtëpi me Flamurtarin dhe Skënderbeun. Kukësi rekordmen i këtij sezoni (31 ndeshje pa humbje) nis sprintin final për titull në përballjen direkte me të kuqtë. Në kryeqytet i intereson edhe një pikë, pasi në 3 takimet me të kuqtë këtë kampionat nuk njeh humbje.
* Barazon me Partizanin dhe merr pikët e plota në të gjitha ndeshjet e mbetura. Nëse në fund e mbyll me pikë të barabarta me Partizanin, përfiton nga pikët e grumbulluara në ndeshjet direkte mes ekipeve përkatëse (1 fitore e Kukësit dhe tri barazime);
* Fiton me Partizanin dhe humbet në Kukës 0-1 ndaj Skënderbeut (grumbullon 12 pikë në pesë ndeshjet e mbetura). Sërish përfiton nga rregullorja për klasifikimin – “pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse”. Me këtë variant, edhe nëse në fund ekipet e mbyllin me pikë të barabarta, Kukësi del kampion, pasi korçarëve u duhet të fitojnë 0-3 në “Zeqir Ymeri” për të rrëzuar veriorët me ndeshje direkte. Kukësi ka fituar një ndeshje 2-0 ndaj Skënderbeut, ndërsa dy të tjerat kanë përfunduar 1-1 dhe 0-0.
* Të humbasë 1-0 me Partizanin, të fitojë të gjitha ndeshjet e tjera dhe të mbyllë kampionatin me pikë të barabarta me të kuqtë (lë tri pikë Partizani gjatë rrugës). Me këtë variant hyn në fuqi diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit, teksa nuk merret parasysh diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet mes ekipeve përkatëse, pasi gjithçka është e barabartë (1-1).
* Barazon me Partizanin dhe Skënderbeun, fiton tri ndeshjet e tjera dhe në fund përfiton nga një barazim ose fitore e mundshme e korçarëve në sfidën direkte me të kuqtë. Me këtë variant, kampionati do të mbyllej me Kukësin 76 pikë, Partizanin 76 pikë dhe Skënderbeun 73.