
Sporti shqiptar vazhdon me çudirat. E rradhës vjen nga Shkodra ku klubi i volejbollit Vllaznia ka larguar kapitenen Klodeta Zhivani me arsyen që nuk është paraqitur në stërvitje. Zhivani është lojtarja me eksperiencën më të madhe në Shkodër teksa ka 10 vjet që derdh djers për fanellën e Vllaznisë. Në një postim në rrjetet sociale, gazetari Klod Zhivani shpjegon situatën absurde.
Klodeta Zhivani vuante nga një dëmtim për të cilin, “ekspertet” e klubit Vllaznia nuk e panë të arsyeshme të rikuperohej dhe e kthyen menjëherë në stërvitje. E detyruar të rikthehet, volejbollistja pëson dëmtimin tjetër direkt në stërvitjen e parë. Këtu erdhi dhe tërheqja tjetër muskulare, më e rëndë se e para.
Në vizitat mjekësorë, doktorët e urdhëruan lojtaren dhe trajnerin Besnik Lisha që të hiqte dorë nga çdo aktivitet fizik për një muaj dhe të fillonte fazën e rikuperimit menjëherë. Këto “mungesa” në stërvitje kanë bërë që drejtuesit të marrin vendimin absurd për heqjen e shiritit të kapitenes dhe më pas erdhi dhe largimi i saj pas 10 vitesh nga Shkodra.