Tottenham Hotspour ende nuk e ka gati stadiumin e vet. Nuk diskutohet që është një impiant modern, me 62 mijë vende, por ajo që mund të quhet me të vërtetë skandal është fakti se data e përurimit të tij vazhdon të shtyhet. Si fillim, ishte vedosur që Tottenham do e luante ndeshjen e parë në këtë impiant në muajin shtator. Mirëpo, kanë kaluar thuajse 5 muaj që nga ky moment dhe situata vijon të mos ketë një datë konkrete.
E sigurt është që edhe për disa ndeshje të tjera, skuadra nga kryeqyteti anglez, Londra, do të vazhdojë t'i luajë ndeshjet në "Wembley". Sikurse raporton "BBC Sport", takimi i parë që "gjelat" mund të luajnë në "folenë" e tyre mund të jetë në 16 mars përballë Crystal Palace. Të presim deri atëherë, nëse diçka e tillë do të jetë kështu, apo Tottenham do të vazhdojë ende të luajë jashtë shtëpisë.