
Arqile Gorea, presidenti i Teutës në basketboll për meshkuj ka hedhur akuza të forta për kampionatin e Ligës Unike, por edhe për presidentin e Federatës së Basketbollit, Avni Ponari.
Në një intervistë për "Panorama Sport", Gorea zbulon se kishin kërkuar që gjyqtari Ervin Koçi të mos gjykonte ndeshjen e Teutës, ndërsa këta gjë ia kishte bërë me dije edhe presidentit të Ligës Unike, por edhe kordinatorin.
Më pas është zbuluar se kordinatori ishte shkarkuar nga presidenti Avni Ponari. Presidenti Gorea ka bërë akuza të forta për kreun e FSHB-së, Avni Ponarin. Sipas tij ka ndërhyrje nga FSHB dhe këto ndërhyrje e bëjnë të besojë se ka manipulime dhe trukime ndeshjesh duke parë që këto sfida kuotohen në baste.
"Dua të them që Liga Unike filloi mirë, ku u caktua një koordinator për arbitrat dhe menduam që kompeticioni do të ishte me organe të pavarura dhe një organizim krejt i veçantë. Menduam që autoriteti i padiskutueshëm i këtij eventi do të ishte z.Trebicka, por gjatë kësaj kohe kemi pasur turbullime gjatë rrugës. Për shembull, në ndeshjen që ne patën kundër Golden Eagle Yllit, kërkuam që arbitri Ervin Koçi të mos ishte pjesë e arbitrimit në ndeshjen tonë, sepse është një gjyqtar për të cilin kemi folur edhe më parë dhe mendojmë që nuk ka pasur qëndrime korrekte ndaj Teutës.
Për këtë unë i kërkova koordinatorit që ta zëvendësonte me një tjetër arbitër. Koordinatori deklaroi se kjo bëhet vetëm me urdhër të presidentit, z.Trebicka. Bisedova me këtë të fundit dhe u dakorduam, duke na vendosur një tjetër arbitër. Por çfarë na ndodhi më vonë? Mësojmë që koordinatori ishte shkarkuar nga z.Avni Ponari. Tani ky kompeticion Shqipëri-Kosovë varet nga liga apo nga z.Ponari?! Nuk i mjaftoi presidentit të FSHB-së emri Unika (Uniqa) i firmës së tij, por tani kërkon të sundojë edhe Ligën Mbarëkombëtare ashtu siç sundon Federatën Shqiptare të Basketbollit.
Ka ndërhyrje nga FSHB në Ligën Unike? "Sigurisht, këtu kemi të bëjmë me ndërhyrje flagrante. Për derisa ai merret me arbitrat më lind e drejta direkt të pyes se çfarë interesi ka që merret me emërime dhe shkarkime gjyqtarësh?!
Duke parë këtë mënyrë të vepruari, unë mendoj që janë të vërteta fjalët që qarkullojnë, që ndeshjet trukohen dhe manipulohen. Pas fjalëve trukim apo manipulim, vjen edhe konkluzioni logjik... A marrin pjesë ndeshjet tona në baste? Nga të gjithë specialistët që kemi pyetur na kanë thënë që po. Atëherë, mos ka diçka këtu që nuk shkon dhe që kërkohet të menaxhohet në mënyrë të njëanshme... sepse kjo sjell shumë pasoja, e para nuk kemi drejtësi në gjykimin e ndeshjeve. E dyta, ne jemi një shoqatë e pavarur basketbolli, që aderojmë dhe kontribuojmë në federatë, sipas kuotave të caktuara. Gjithashtu, kemi të drejtën tonë edhe të refuzojmë dhe jo vetëm të bindemi. Në fund të fundit, në raporte, nuk kemi pse të marrim ne urdhra arbitrarë nga njerëz që nuk japin asnjë kontribut për basketbollin, përkundrazi kanë përfitime nga ky sport kaq i bukur dhe kërkojnë të ndërhyjnë në mënyra nga më të shëmtuarat", u shpreh ndër të tjera Gorea.