
Edi Reja, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, ishte i pranishëm në mbrëmjen gala “Më të Mirët 2023” të organizuar nga FSHF. Ai bashkë me De Biasin i dhanë çmimin “Trajneri i Vitit” Orges Shehit.
Përpara se të fillonte mbrëmja gala, ai foli për mikrofonin e SuperSport. I pyetur nëse ndihet xheloz për arritjen e Shqipërisë pas largimit të tij, ai u shpreh që jo.
Ndiheni pak xheloz, që Shqipëria është kualifikuar?
“Jo, aspak. Ishte një vazhdimësi e punës së nisur disa vite më parë. E gjeta Shqipërinë në një moment pak të vështirë dhe u munduam të ndryshojmë. Edhe kundërshtarët ishin më të fortë, pasi Polonia e këtij edicioni ishte më e dobët se ajo që u përballëm ne. Gjithsesi skuadra është cilësore dhe Sylvinho ka bërë një punë të mirë. Jam shumë i kënaqur që djemtë ia dolën dhe jam edhe pjesërisht krenar për atë sukses të tyre”, tha Reja.