
Muhamed Useini tanimë luan në Kosovë, por dy sezone më parë ishte pjesë e Flamurtarit në Superligën shqiptare. Ish-mesfushori vlonjat, në një rrëfim ndryshe për Gazeta OLLE ka treguar momentin më të vështirë në karrierë, teksa kontribuonte për Shkëndijën e Tetovës.
Në sezonin 2010-2011 ekipi shqiptar i Maqedonisë së Veriut do të përballej me Partizanin e Beogradit, skuadër që njihet për mentalitetin e tifozëve për shqiptarët. Sharjet në kor nuk kishin pushuar për gjatë gjithë 90 minutave, ndërsa një ushtri ishte në stadium për të ruajtur rendin dhe sigurinë.
“Ishte viti historik ku u bëmë kampion me Shkëndijën për herë të parë dhe ishte pjesëmarrja jonë e parë në arenën ndërkombëtare dhe fati deshi që të takohemi me Partizanin e Beogradit, edhe pse sot e kësaj dite besoj se mos të kishim humbur penalltinë në fillimin e ndeshjes, e gjithë rrjedha do të kishte qenë ndryshe.
Ka qenë një ndeshje që nuk mund ta harroj kurrë në jetën time, aq sharje, aq kore nacionaliste për 90 minuta. Në fakt më shumë nga jashtë është parë si një luftë sesa një ndeshje futbolli.
Që në momentin që kemi arritur në Serbi për neve janë
kujdesur një ushtri e tërë për siguri. Rrugët ku kemi kaluar ishin të bllokuara
që të kalonim vetëm ne, hoteli ku qëndronim nuk kishte asnjë shanse të futet
askush dhe më e çuditshmja ishte në tunelin para ndeshjes, ku një ushtri e tërë
ishte në mes nesh dhe lojtarëve të Partizanit. Kjo ka qenë një ndeshje që nuk
harrohet sepse ishte takim i tëri për tu shijuar dhe mbetur në memorien time”, ka
thënë 31-vjeçari në intervistën e tij.